As 5 minuta për ta miratuar në parim buxhetin e shtetit, por çfarë do të ndodhë me shqyrtimin e tij nen për nen, aty ku deputetë apo ministra mbajnë shpresën e fundit për disa ndryshime.
Në fakt janë gati gjysma e ministrive në vend që kërkojnë më shumë para’ nga buxheti i vitit të ardhshëm. Nga “Bujqësia” te “Turizmi”, “Infrastruktura”, “Mbrojtja” dhe ajo e Brendshme ankohen se fondet e parashikuara nuk mjaftojnë për objektivat e synuara.
“Kërkesat janë legjitime. Bujqësia dhe turizmi, dy sektorë që cilësohen si strategjikë për zhvillimin e vendit do të kenë shumë pak fonde. Kjo është e pakuptimtë”, shprehet eksperti Klodian Muço.
Më shumë para për vitin e ardhshëm kanë kërkuar edhe Agjencia Telegrafike, Radio Televizioni Shqiptar, Akademia e Shkencave, Drejtoria e Arkivave, ajo e Burgjeve, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
“Veçanërisht Emergjencat Civile do duhet të kenë më shumë fonde. Jemi vendeve rrezikohemi nga zjarret, përmbytjet. Para se të miratohet, duhen marrë parasysh këto kërkesa”, shtoi Muço.
Në një kohë që buxheti dhe paketa fiskale pritet të votohen nen për nen në mesin e muajit të ardhshëm, socialistët kanë propozuar gjatë komisioneve parlamentare edhe heqje e tatimit mbi vlerën e shtuar për produktet higjienike të grave.
“Paketa fiskale duhet të pësojë ndryshime rrënjësore dhe jo periferike. Ajo që është parashikuar deri më tani nuk garanton as barazi e as mirëqenie”, deklaroi eksperti.
Komisionet parlamentare do të shqyrtojnë edhe amendamentet për rritjen e fondeve për kompensimin e ish-pronarëve, ndihmën ekonomike, Ministrive të Bujqësisë dhe Arsimit, si dhe 2-fishimin e buxhetit për indeksimin e pensioneve.
Propozimet janë të deputetëve demokratë të Lulzim Bashës, të cilët kanë refuzuar aksionin e Berishës dhe Bardhit për defunksionalizimin e Parlamentit.
E nëse asgjë nuk ndryshon dakordësia për çdo nen duhet të vijë përmes komisioneve online në mënyrë që sipas praktikës së ndjekur të hënën, miratimi i buxhetit të zgjasë aq minuta sa kryeparlamentares t’i duhen për te kaluar nga neni në nen.
(A2 Televizion)