5 minuta votim në Parlament, Çuçi: Nuk do të lëmë shqiptarët pa buxhet për karrigen e PD-së

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2023, 10:38 | Politikë

“Ne nuk do ta lëmë Shqipërinë pa buxhet, sepse ne nuk jemi në krizë për karrigen e kryetarit të Partisë Demokratike." Ka qenë ky reagimi i kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, pas miratimit në parim të projektbuxhetit dhe Paketës Fiskale për vitin 2024 në vetëm 5 minuta në Parlament.

“E njëjta skenë, i njëjti peizazh. Asgjë e re nga sjellja e tyre”, tha Çuçi duke iu referuar sjelljes së deputetëve të grupimit të Sali Berishës, të cilët ndezën tymuese, flakadanë dhe kthyen sërish karriget përmbys mbi foltore, edhe këtë seancë plenare.

Sipas tij,  e vetmja gjë që ka rëndësi, ditën e sotme, është miratimi i atij që e cilësoi si “buxheti më i madh publik në historinë e këtyre viteve.”

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së tha për kolegët e opozitës se lufta e brendshme i ka bërë që të shkëputin vëmendjen nga interesi i qytetarëve.

“Flitet me alternativa dhe jo me tymuese. Sot që duhej të flisnin, pamë të njëjtin skenar.” 

I gjendur përballë pyetjeve të gazetarëve, Çuçi nuk e pranoi se buxheti për vitin e ardhshëm u kalua në parim pa asnjë diskutim, sepse siç shtoi ai, diskutimet janë bërë në komisione.

Dhe, si duket edhe diskutimi nen për nen i buxhetit do të zhvendoset në komisione, nëse opozita do të vijojë me aksionin e saj.

Sa i përket prezencës së shtuar të Gardës së Republikës, socialistët thonë se ajo ka punën e saj për të garantuar punimet normale në Kuvend. Sipas Çuçit, krizë në Parlament nuk ka, krizë ka vetëm mes demokratëve. 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu