“Të rrethuar si në gjendje lufte”, Bardhi: Opozita do të përshkallëzojë aksionin brenda parlamentit

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2023, 10:44 | Politikë

 

“Rama i zverdhur në seancë, i rrethuar nga garda me kokën ulur dhe kartonin ngritur, si një manekin që i kishin dhënë në dorë një karton jeshil”. Kështu deklaroi Gazment Bardhi pas përfundimit të seancës plenare, ku u miratua në parim projektbuxheti 2024. Sipas tij, Kuvendi është futur në paligjshmëri me një seancë rekord të zhvilluar në vetëm 4 minuta e 29 sekonda.

Bardhi u shpreh se deputetët e opozitës ishin të rrethuar, sikur vendi të ishte në gjendje lufte.

“Kuvendi i hajdutëve ka vendosur një rekord 4 minuta e 29 sekonda seancë për miratimin e buxhetit në një sallë të mbushur me forcat speciale të Gardës së Republikës. Duhet t’i kërkoni llogari kryetares së kuvendit ku mohoi urdhrin për mbushjen e sallës me punonjës të gardës. Shqipëria vend kandidat i BE-së dhe sot deputetë kanë qenë të rrethuar nga forcat e sigurisë, si vend në gjendje lufte. E vetmja arsye pse salla ishte mbushur me forcat speciale të gardës është se në kuvend ishte paraqitur kryehajduti i Shqipërisë Edi Rama, një frikacak që për të ardhur në seancë në një vend që pretendon të jetë demokratik, kishte mbushur sallën me punonjës sigurie.

Ai deklaroi se aksioni i opozitës ka për qëllim t’u tregojë qytetarëve që ky nuk është parlamenti i tyre.

"Opozita do të donte që ajo sallë të ishte normale të kishim shkëmbim të ideve alternative, por kjo e pamundur sa kohë shkelen të drejtat e deputetëve dhe opozitës, si mohohen të drejtat kushtetuese. Nuk kemi pasur përplasje me gardën, nuk e kemi betejën me gardën. Deputetët e PS-së nuk kanë nevojë për gardistë te koka për t’i çuar më shumë fonde në kontratat koncesionare. Pse nuk lejon mazhoranca të kryejë detyrën kushtetuese për këto kontrata. Rama jo vetëm që nuk i anulon, por sot i dha më shumë fonde një kontrate që do të duhet të anulohet. Opozita nuk ka forcë për të penguar votimin e ligjeve se votat i ka Rama të siguruar me krimin e organizuar dhe sot ka miratua një buxhet për t’i çuar fonde krimit të organizuar.  4 minuta e 29 sekonda seancë, kuvendi është futur në paligjshmëri. Ne nuk kemi thënë që do bllokojmë votimin. Kanë miratuar edhe ligjet e propozuar nga Klodian Zoto dhe ne nuk kemi forcë kartoni për t’i ndalur ato, por ne duam t’u tregojmë qytetarëve se ky nuk është parlamenti që përfaqëson interesat e tyre. Janë për të votuar kontratën e sterilizimit. Ne duam t’u tregojmë qytetarëve që ky nuk është parlamenti i tyre”.

Opozita do të përshkallëzojë aksionin brenda parlamentit, derisa të fitojë të drejtat për t’i shërbyer interesit publik.

“Ne do ta vazhdojmë betejën në kuvend, nuk bëjmë betejë për veten, por për t’i shërbyer interesit publik. Kemi një plan përshkallëzimi të aksionit opozitar brenda parlamentit. Mos na coni në hapin e fundit ndërkohë që jemi në hapin e parë, kini durim dhe do shikoni hapa pas hapi aksionin e opozitës. Kjo që patë sot ishte hapi i radhës dhe do shikoni çdo hap. Beteja bëhet që opozita të fitojë të drejtat për të mbrojtur interesin publik”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos