Buxheti online dhe pa diskutime, Shalsi: Anormal miratimi pa debat, por s’ka krizë parlamentare

Nga Fjorela Beleshi
21 Nëntor 2023, 15:43 | Politikë

Mazhoranca nuk pranon që aksioni i opozitës të ketë futur në krizë parlamentin, por eksponentë të saj pohojnë se nuk është normale miratimi i akteve pa u prezantuar, duke evituar diskutimet.

Kryetari socialist i komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi hedh fajin për situatën e krijuar te sjellja e opozitës.

“Nuk është një instrument normal, por në këto kohëra anormale për shkak të opozitës e gjetëm si zgjidhje për të vijuar pasi qytetarët presin buxhetin. Buxheti i Shtetit duhej miratuar, duhet çelur sa më parë për të vijuar me projektet. Por thashë është një aksion i imponuar nga opozita. Aksion është një fjalë shumë e bukur në fakt, duke parë edhe skenat e shëmtuara të parlamentit.”

E pranon vështirësinë e punës sidomos me zhvillimin e komisione parlamentare online, por Shalsi heziton ta quajë krizë parlamentare.

“Nuk ka bllokime ligjesh, nuk ka bllokim buxheti, pra nuk ka një krizë parlamentare. Kemi një përpjekje për të shkaktuar një krizë parlamentare, thjesht dhe vetëm për të mbrojtur një individ, që në 30 vjet është mesa duket e vetmja alternativë e Partisë Demokratike. Me këtë lloj mendësie nuk do të kenë asnjë rezultat tjetër përveçse dështimit.”

Sot në mazhorancë, deputeti socialist thotë se e ka mësuar që nga koha kur ishte në opozitë, se dhuna nuk të çon askund.

“Kemi patur edhe ne përplasje fizike për hir të vërtetës në Komisionin e Veprimtarive Prodhuuese, nuk më vjen mirë ta them këtë. Nëse do të ishim në opozitë tani, kjo do të ishte gjëja e fundit që do t'i kishim lejuar vetes të bënim. Pse? Sepse është një rrugë tashmë e provuar që nuk të çon as gjëkundi.”

Eduard Shalsi pretendon se disa demokratë janë të intimiduar nga drejtuesit e tyre dhe për këtë arsye nuk e ngrenë dot zërin.

“Ata po të konsideruan tradhtar brenda vetes... i dogjën karrigen Lulit. Nëse do të guxojnë, ju e patë si u bënë disa nga kolegët e opozitës që morën pjesë në takime, i masakruan.”

Pas miratimit në parim pas diskutime të buxhetit, propozimet e qeverisë pritet të kalojnë nen për nen në seancën plenare të 7 dhjetorit, ku gjasat janë që të përsëritet e njëjta situatë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos