Vendimi i Bankës së Shqipërisë për të mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit është reflektuar edhe në ecurinë e letrave me vlerë të qeverisë, në të cilat investojnë kryesisht qytetarët.
Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka Qendrore, norma e interesit të bonove të thesarit me afat maturimi 1-vjeçar arriti në 3,63%, vetëm 0,01% më shumë se në ankandin e fundit.
Frenimi i normës së interesit mund të jetë ndikuar edhe nga kërkesa jo shumë e lartë për të investuar në këtë ankand. Shuma e kërkuar nga Ministria e Financave nuk u arrit të plotësohej, ku nga 12,5 miliardë lekë të shpallura, qytetarët dhe investitorët e tjerë ofruan 12,4 miliardë lekë.
Ministria e Financave ka planifikuar një huamarrje intensive në muajt e parë të vitit dhe kjo ka bërë që në disa prej ankandeve tregu të mos i përgjigjet dot të gjithë nevojës për financim. Vetëm në muajt janar dhe shkurt parashikohet të realizohet pothuajse 30% të volumit vjetor të huamarrjes për vitin 2024.
Në total, për të mbuluar deficitin buxhetor, paguar borxhet e vjetra dhe për të financuar disa projekte, qeveria planifikon të marrë 415,2 miliardë lekë borxh këtë vit. Pjesa më e madhe e huasë pritet të merret brenda vendit dhe më pak nëpërmjet një eurobondi.
Ecuria e interesave të letrave me vlerë të qeverisë mbetet e paqartë për periudhë në vijim, pasi do të varet shumë nga perspektiva e ekonomisë, normat e interesit në momentin e ankandeve dhe kërkesa nga ana e investitorëve. (A2 Televizion)