Në botë çmimet e ushqimeve po bien këtë fillim-vit. Matjet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregojnë se në janar, indeksi shtrenjtësisë ra në 118 pikë. Në raport me dhjetorin ky tregues ka rënë me 1.1 pikë, ndërsa me janarin e një viti më parë me plotë 13.6 pikë.
“Duket sikur kemi arritur dyshemenë. Ka një relaksim çmimesh. Kjo me përjashtim të bulmetit. Kjo për shkak të konjukturave bujqësore. Çmimet e produkteve industriale janë gjithashtu të relaksuara për shkak se çmimeve të lëndëve të para po iu afrohen niveleve të para pandemisë”, u shpreh Theodhor Kristuli, nga Unioni Agroushqimor Shqiptar.
Por bashkë me bulmetin, edhe zarzavatet po vijojnë të jenë të shtrenjta në botë. Sipas matjeve të FAO, indeksi i çmimeve te kjo kategori produktesh muajin e shkuar u rrit në 118.9 pikë nga 118.8 pikë në dhjetor. Ekspertë të tregjeve parashikojë se kjo ecuri do të reflektohet shpejt edhe në Shqipëri.
“Ne në vend bujqësinë kemi braktisur. Nëse çmimi i produkteve bujqësore rritet jashtë, rrjedhimisht te ne do vijë edhe më i shtrenjtë., Kjo për shkak të kostove të transportit etj”, shtoi Kristuli.
Ekspertë të tregtisë së jashtme paralajmërojnë ndërkohë se tërheqja e valës së krizës së çmimeve mund të ndërpritet nga sulmet e rebelëve Houthi në Detin e Kuq. Anijet e mallrave po përshkojë distanca më të gjata, që rrjedhimisht do të shoqërohen me më shumë kosto më qytetarët e të gjitha vendeve, përfshirë Shqipërinë. (A2 Televizion)