Miratohet këtë muaj skema e bujqësisë dhe blegtorisë 2024, fondi fillestar do të jetë 3.3 mld lekë

Nga Marjo Brakaj
13 Shkurt 2024, 15:13 | Ekonomi

Skema Kombëtare e Bujqësisë dhe Blegtorisë 2024 pritet të miratohet nga qeveria brenda këtij muaji. Me vlerë fillestare 3.3 miliardë lekë apo rreth 30 milionë euro, me anë të saj planifikohet të mbështeten rreth 35 mijë fermerë.

Shuma në dispozicion është më pak se një e treta e nevojave që sektori ka.

“Sipas një vlerësimi të Ministrisë së bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vitin e shkuar, rezultoi se nevojat e sektorit ishin për 100 milionë euro. Dhe këtu nuk futen agro-përpunuesit. Ne dimë se nevojat janë shumë të mëdha,” shprehet Esmeralda Ballesha, eksperte e bujqësisë.

Skema e re për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë, do të vijë me ndryshime, pasi do të synohet rritja dhe shtimi i profileve të përfituesve. Gjithashtu do të synohet edhe bashkimi i fermerëve që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar.

“Pritet të përdoret një mekanizëm i ngjashëm me vitet e shkuara. Skema do të rishikohet disa herë. Veçanërisht ajo e naftës falas në bujqësi.”

Ekspertë të sektorit bujqësor vlerësojnë se veç fondeve në dispozicion skema duhet të synojë edhe krijimin e mekanizmave për të garantuar shitjen e prodhimeve të bujqve.

“Kjo pasi, pavarësisht mbështetjes nëse produkti nuk shitet fermeri është i destinuar të falimentojë. Më kot që harxhohen para.”

Buxheti për Ministrinë e Bujqësisë këtë vit është planifikuar në vlerën 14.1 miliardë lekë, rreth 9 për qind më pak se në 2023-shin.

Rritja e fondit në dispozicion dhe shpërndarja e drejtë tij duke u bazuar edhe te të dhënat e Censit të popullsisë dhe banesave vlerësohet si jetike për sektorin nga ekspertët, kjo për shkak edhe të pezullimet për shkak të korrupsionit të fondeve IPARD nga Bashkimi Europian.

A2 CNN Livestream

Dita jonë