Kontradiktat e qeverisë me punësimet, shpall si objektiv inteligjencën artificiale, por shton njerëzit në administratë

Nga Marjo Brakaj
14 Shkurt 2024, 15:06 | Ekonomi

Kryesisht në profilet shkenca ekonomike juridike, kimi, veterinari apo gjeodezi...qeveria do të punësojë 1 mijë e 183 vetë në muajt në vijim nga rreth 500 që planifikonte në fund të vitit të shkuar. Në Fletoren Zyrtare është publikuar vendimi i cili e çon në 86 mijë e 457 numrin total të punonjësve në administratën publike qendrore.

“Historia e krizës greke tregoi se pavarësisht se qeveritë ndërroheshin shpesh, ndryshe nga rasti i Shqipërisë, sërish aty administrata nuk ndërrohej por vetëm fryhej. Patronazhimi nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Fryrja e administratës publike greke, pra patronazhimi prodhoi një nga krizat më të forta ekonomike në vendin fqinj,” shprehet Zef Preçi, ekspert për ekonominë.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, pjesa më e madhe e atyre që do të punësohen do të jenë nëpunës të thjeshtë, ndjekur nga drejtuesit e kategorisë së ulët dhe ata të mesëm. Kjo në një kohë që pas digjitalizimit, qeveria ka shpallur si objektiv përfshirjen e Inteligjencës Artificiale në ofrimin e shërbimeve publike.

“Kjo do të thotë lirshmëria që kanë liderët politikë në shtimin e administratës publike, e ka kthyer administratën në fole punësimi. Po afrojnë edhe zgjedhjet dhe këto vendimmarrje janë të pritshme.”

Në total, me gjithë bashkitë, administrata publike shqiptare përbëhet nga mbi 184 mijë punonjës. Këtë vit, shpenzimet për të paguar rrogat e tyre janë planifikuar në masën 119.7 miliardë lekë. Kjo shifër është sa 5 për qind e gjithë Prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë në një vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos