Për të ndërtuar rrugë, shkolla e ujësjellës, menaxhuar mbetjet apo për t’u mbrojtur nga zjarret e përmbytjet, 61 bashkitë në vend përllogaritet të shpenzojnë vitin e ardhshëm 71 miliardë lekë. Në raport me këtë vit, buxheti në dispozicion i njësive të pushtetit vendor rritet me 7.4 miliardë lekë apo 10.4 për qind.
“Në përgjithësi, nëse bëjmë një analizë të përgjithshme të buxhetit, aq sa shikojmë shifrat në këtë kontekst duket se kemi një buxhet të mirë. Është i përqendruar në turizëm, rindërtimi dhe rritja e pagave që është shumë mirë”, u shpreh eksperti për financat vendore, Agron Haxhimali.
Pak më shumë se gjysma e këtyre parave që bashkitë pritet të kenë në dispozicion do të jepen nga Buxheti i Shtetit në formën e transfertave të pakushtëzuara në vlerën totale të 36.5 miliardë lekëve. Në raport me 2023-shin, ky fond rritet me 55 miliardë lekë apo 17.7 për qind.
“Mënyra si janë të organizuara këto njësi, ndarja e re territorial funksionet që kanë këto bashki vazhdojnë të mbeten të nën-financuara edhe me këtë rritje aktuale, në krahasim me barrën e madhe dhe përgjegjësitë e listën e gjerë të funksioneve”, theksoi Haxhimali.
Rritja e fondit të dispozicion për bashkitë, më shumë se sa nga vullneti i qeverisë qendrore, vjen nga detyrimi ligjor që atyre duhet t’iu ndahet jo më pak se 1 për qind e Prodhimit të brendshëm Bruto.
“Ajo që vë re në buxhet nuk ka një qasje strategjike për sektorët më në nevojë. Përmendim sektorin e menaxhimit të mbetjeve që vazhdon të jetë problematik, sektori i furnizimit me ujë por dhe i bujqësisë”, shtoi eksperti.
Bashkitë e mëdha pritet të marrin edhe pjesën më të madhe nga torta e buxhetit. Këtë vit Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Fieri përfituan më shumë, gati 31 për qind të totalit. (A2 Televizion)