Nuk mund të kemi arsim cilësor në kushtet e nën-financimit publik. Kjo tezë është pranuar edhe nga qeveria. Ndaj Ministria e Arsimit dhe Sportit do të ketë më shumë para në dispozicion vitin e ardhshëm, edhe pse ende larg objektivit te 10 viteve më parë për 5 të GDP. Nga 47.7 miliardë lekë këtë vit, fondi për edukimin dhe sportin rritet në 52.2 miliardë gjatë 2024.
“Kemi një nivel shumë të lehtë me 0.1 apo po themi dhe 1% të GDP jemi larg qenies së standardit dhe qenies së cilësisë së sistemit të arsimit për atë që kërkohet. Fatkeqësisht qeveria është ende në fazën që nuk e sheh si prioritet arsimin”, u shpreh Nora Malaj.
Arsimi i lartë është cikli i studimeve që merr më shumë para për vitin e ardhshëm, me 1.5 miliardë lekë, ndjekur nga arsimi bazë dhe i mesëm. Fondet në dispozicion do të rriten me 750 milionë lekë edhe për kërkimin shkencor. Sektori që merr më pak është sporti dhe rinia, me një zbritje prej 200 milionë lekë.
“Nuk po studiohet realisht se cila është harta e prioriteteve problematike që ka arsimi dhe si mund të përkthehet në buxhet që do të thotë për çfarë mësuesish kemi nevojë çfarë kualifikimi. Njëkohësisht po të shohim fashën e arsimin të lartë jemi në kuadër të rritjes së investimeve në drejtim të bërjes së projekteve, por realisht kërkimi shkencor është shumë larg asaj që kërkohet”, shtoi ish-zv.ministrja.
“Duhen veçanërisht më shumë para për kërkimin shkencor, jo për të bërë shkencë, por për të bërë studime dhe për të kuptuar se ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë”, u shpreh eksperti Qemal Çejku.
Me gjithë rritjen, Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të shpenzimeve për arsimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në rajon. Kosova kryeson me 4.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndjekur nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
“Nëse nuk do të investojmë 5 për qind të PBB në arsim, ne asnjëherë nuk do të kemi rezultate në drejtim të arsimit dhe shkencës”, shtoi Çejku.
Nga zgjerimi i fondeve në dispozicion, pritet nga viti i ardhshëm e deri në 2026-n të ndërtohen ose rikonstruktohen deri në 80 objekte të arsimit bazë me synimin për të hequr përfundimisht mësimin me turne. Gjithashtu objektivat përfshijnë më shumë studim shkencor dhe punësimi të studentëve të diplomuar. (A2 Televizion)