Ndryshimet klimatike, digjitalizimi apo dhe financat e familjeve janë prioritetet kryesore të Bankës së Shqipërisë në një moment kur ekonomia e vendit sfidohet nga faktorët ndërkombëtarë. Por përballë tensioneve gjeopolitike dhe digjitalizimit të financave, guvernatori i Bankës së Shqipërisë thotë se ekonomia e vendit ka nevojë për riorientime të reja sektoriale.
“Në Shqipëri, këto ngjarje po riformësojnë orientimin e ekonomisë dhe fokusin sektorial, duke nxitur rritjen në disa fusha, ndërsa po zëvendësojnë gradualisht peshën e disa sektorëve tradicionalë. Rezultat i këtij tranzicioni janë: aktiviteti ekonomik i përshpejtuar, pozicioni i përmirësuar i sektorit të jashtëm dhe qëndrueshmëria e rritur. Megjithatë, ky tranzicion ushtron presion edhe mbi tregjet e punës tashmë të prekura nga emigracioni. Këto ndryshime përshkojnë ekonominë, duke trazuar ekuilibrat e vendosur dhe duke nxitur rregullime në treguesit nominal”, tha Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Ky proces sipas Sejkos po shpejton rritjen ekonomike të vendit por nga ana tjetër po trazon ekuilibrat e vendosura në vite.
“Këto sfida kanë shkaktuar pasoja negative në zinxhirët e prodhimit dhe të furnizimit, kanë ndikuar tregjet e punës dhe kanë nxitur ndryshime strukturore të cilat kanë ndikuar produktivitetin, kostot, stabilitetin e çmimeve, si dhe stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik e financiar”, theksoi Sejko.
Deklaratat guvernatori I bëri gjatë Workshop-it XVII të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, në të cilën morën pjesë një sërë kërkuesish ndërkombëtarë nga bota akademike dhe komuniteti i bankave qendrore. (A2 Televizion)