"Duhet të mbyllet çdo shteg për korrupsion"! BB dhe BE: Menaxhimi i financave publike, kusht për integrimin e vendit

Nga Marjo Brakaj
3 Maj 2024, 15:28 | Ekonomi

Mbyllni shtigjet e korrupsionit, promovoni llogaridhënien dhe ndryshimet në buxhet mos i bëni vetëm me Akt Normativ, por kalojini në Parlament. Janë këto disa nga këshillat e Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian për Shqipërinë në drejtim të menaxhimit të Financave Publike deri në vitin 2030. Në të kundërt vendi rrezikon të ngecë në rrugën e integrimit Europian. 

“Menaxhimi i financave publike është në thelb të procesit të integrimit evropian sepse kjo lloj strategjie prek shumë kapituj si për shembull kapitulli që ka të bëjë me reformën në administratën publike, pika nr.2 për kontrollet e brendshme edhe financiare, tatimet, doganat, kapituj nga më të ndryshmet, disa prej tyre janë pjesë e grup kapitujve themelorë. Kjo tregon se sa të rëndësishme janë reformat”, tha Silvio Gonzato, Ambasadori i BE në Tiranë.

Menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, Emmanuel Salinas renditi edhe katër shtyllat ku vendi duhet të punojë me qëllim mirë-menaxhimin e parave publike.

“Eficenca për përdorimin e burimeve, vlera e parave në momentin që investohen, e gjithë duhet të merret në konsideratë.  E treta, është transparenca dhe llogaridhënia, mendoj se të gjithë jemi përgjegjës për këtë strategji, dhje duhet të sigurohemi që mundësitë për korrupsion të eliminohen. E katërta është fleksibiliteti, në Shqipëri ka pasur shok në vitet e fundit, dhe ka pasur nevojë për rialokimin e financave publike”, u shpreh Emanuel Salinas, Menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë.

Duke pranuar mirëmenaxhimin e financave publike si kusht për procesin e integrimit, ministri i Financave, Ervin Mete argumentoi se strategjia e re garanton arritjen e këtyre objektivave

“Strategjia e re që prezantojmë sot për Menaxhimin e Financave Publike synon ndër të tjera: Përmirësimin e mëtejshëm të politikave fiskale dhe makroekonomike Avancim në planifikimin e integruar strategjik dhe buxhetor, si edhe rritjen e monitorimit dhe raportimit;Rritjen e mobilizimit të të ardhurave dhe përmirësimin e mëtejshëm të sistemeve për menaxhimin tatimor e doganor; Forcimin e menaxhimit të zbatimit të buxhetit dhe implementimin e mëtejshëm të standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit”, tha Ervin Mete, Ministër i Financave.

Strategjia e re për Menaxhimin e Financave Publike është publikuar për konsultim publik në fillim të muajit të kaluar dhe pritet të miratohet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, për të nisur më tej me fazën e implementimit të saj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos