Shkelja e “vijës së kuqe” të e enjten, asaj të këmbimit të 1 euro me më pak se 100 lekë mund të jetë vetëm fillimi i zhvlerësimit më tej të valutës europiane. Prishja e ekuilibrit në tregun valutor që në ditët e para të majit, krijuar vjeshtën e vitit të shkuar ka surprizuar edhe vetë agjentët e këmbimit të parave.
“Ajo që me probabilitet shumë të madh do të ndodhë është një rënie më tej e euros në muajt në vijim. Mund të pritej që kjo të ndodhte në muajt korrik apo gusht, në kulmin e sezonit turistik veror”, tha Dritan Vakaj, kreu i shoqatës së Këmbimit Valutor.
Rënia e euros në nivelin më të ulët që nga viti 2022 kur valuta hyri për herë të parë në Shqipëri për kreun shoqatës së Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj është lajm i keq për të gjithë.
“Tregu është çekuilibruar. Ekonomia do të humbasë shumë. Nëse vitin e shkuar fituan disi qytetarë për shkak të rënies së inflacionit të importuar, por kjo nuk pritet të ndodhë më. Tregtarët nuk e kanë reflektuar ecurinë kursit të këmbimit te çmimet”.
Situata në tregun e këmbimit valutor pritet të jenë edhe më e çekuilibruar këtë vit për shkak të rezervës së lartë valutore që ka arritur në gati 5.6 miliardë euro. Kjo vështirëson edhe më tej mundësinë që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë.
“Do të kem një treg pa frena. Banka e Shqipërisë fatkeqësisht nuk ka më asgjë në dorë. Ndërhyrjet do të jenë tepër të kufizuara”, tha Dritan Vakaj, kreu i shoqatës së Këmbimit Valutor.
Vetëm vitin e shkuar, në gati 600 pikat e këmbimit valutor dhe bankat e nivelit të dytë u këmbyen gati 12 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë. (A2 Televizion)