"Dy pleq në shtëpi kemi mbetur", Shqipëria ka humbur mbi 7.7 miliardë euro në 10 vite nga emigrimi

Nga Marjo Brakaj
1 Maj 2024, 14:48 | Ekonomi

“Jashtë, jashtë. Dy pleq në shtëpi kemi mbetur. Kanë ikur jashtë.”

Janë gati 400 mijë shqiptarë, kryesisht të rinj që kanë emigruar dekadën e fundit. Shumë është thënë e është bërë në 10 vite, por pak ka ndikuar në zbehjen e dëshirës për t’u larguar nga vendi.

“Ndalni shpopullimin; 50 për qind e maturantëve duan të largohen... janë këto disa nga pankartat e atyre që në këtë 1 Maj kërkojnë nga politik-bërësit të hartojnë programe për të mbajtur të rinjtë në vend.”

Njerëzit, si kapitali më i çmuar në një shoqëri, kur emigrojnë, i krijojnë humbje të mëdha vendit, edhe në aspektin ekonomik. Vetëm për edukimin e një të riu me shkollë të mesme vendi shpenzon 19 mijë e 500 euro. Me një përllogaritje të thjeshtë, Shqipëria ka humbur mbi 7.7 miliardë euro në 10 vite.

“Do na mbante në vend një punë e  mirë, siguria në punë dhe jetesën e përditshme dhe kushtet e tjera. E kundërta do të ndodhte nëse këto nuk do të plotësoheshin”, tregojnë studentet.

Largimi vetëm në një drejtim ka bëtë që tregu i punës të vuajë për burime njerëzore si kurrë më parë. Në një dekadë nga Shqipëria kanë ikur rreth 150 mijë elektricistë, hidraulikë e punëtorë ndërtimi, rreth 55 mijë shoferë, kamerierë e banakier, 35 mijë bujq e blegtorë. Emigracioni ka përfshirë e “trurin” e vendit me 11 mijë e 500 mjekë, infermierë e punonjës në teknologjinë e informacionit të larguar.

“Sot i kemi dërguar qeverisë një kërkesë posaçërisht për ndërtimin e një strategjie për ndalimin e shpopullimit”, tha Kol Nikolla, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.

Veç kushteve të jetesës, pagat janë një arsye se pse shqiptarët emigrojnë. Me gjithë rritjet, sot një i punësuar në vend merr mesatarisht vetëm 4.7 euro për një orë pune nga 5.6 dollarë që është mesatarja e Rajonit. Krahasuar me ata që punojnë në Bashkimin Europian, një shqiptar merr aktualisht gati 7 herë më pak.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi