Denaj nga Gramshi: Kultivimi dhe përpunimi i bimëve medicinale po zhvillojnë ekonominë lokale!

Nga A2 CNN
1 Maj 2024, 09:38 | Ekonomi

Denaj nga Gramshi: Kultivimi dhe përpunimi i bimëve medicinale po

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bashkë me Drejtuesin Politik, Damian Gjiknuri dhe Kryetarin e Bashkisë së Gramshit, Besjan Ajazi, zhvilloi një bisedë me fermerët e Kushovës, një zonë e njohur për kultivimin e livandos, një bimë medicionale e kërkuar mjaft nga tregjet e huaja.

Rreth 80% e familjeve në këtë zonë e kanë të lidhur ekonominë familjare ngushtësisht me livandon, të cilën e kultivojnë e grumbullojnë në një sipërfaqe prej 400 hektarësh që shtrihet në gjithë Kushovën.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, u diskutua mbi sfidat e sektorit dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve të grumbullimit, magazinimit dhe përpunimit, për të rritur vlerën dhe cilësinë e produktit.

Ministrja Denaj u shpreh se në Skemën Kombëtare të këtij viti, i jemi përgjigjur nevojave imediate të sektorit duke shtuar masën e financimit për Bimët Aromatike dhe Medicinale, me 30 mijë lekë për hektarë dhe synojmë ta zgjerojmë edhe më tej mbështetjen tonë me ndërtimin e politikave efikase promovimin dhe financimin e sektorit.

"Duhet ta adresojmë, sepse duhet patjetër që kjo pasuri kombëtare, që në tregjet ndërkombëtare shitet shumë shtrenjtë, të mos shitet lirë, të mos rrijë e pambjellë, por njëkohësisht të fillojë të përpunohet. Kështu që gjithë industria e përpunimit të bimëve medicinale është ajo që ne duhet ta vendosim në fokus dhe unë si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e kam prioritare. Kjo ishte arsyeja pse ne filluam të subvencionojmë këtë vit skemën e bimëve aromatike dhe medicinale", tha Ministrja Denaj.

Ndërsa kryetari i Bashkisë, Ajazi, tha se kjo zonë është e njohur për kultivimin e bimëve medicinale dhe vitet e fundit është promovuar brenda dhe jashtë vendit, duke e shfrytëzuar këtë mundësi për zhvillim ekonomik, por edhe për turizëm.

"Pikërisht këtë vit ne bëjmë edhe Festivalin e Livandos. Aq emër ka marrë livando e Kushovës së Gramshit sa i kemi dedikuar edhe një aktivitet kulturor turistik për t’i ndërthurur bashkë me turizmin për të zhvilluar edhe më shumë turizmin dhe ekonominë lokale, sepse ky sektor një dhe turizmi janë dy rrugët e vetme, të cilët mund të zhvillojnë një ekonomi lokale", tha Ajazi.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi