Turistët po sjellin optimizëm! Sipërmarrësit dhe qytetarët shqiptarë mendojnë se ekonomia po shkon mirë

Nga Marjo Brakaj
2 Maj 2024, 15:08 | Ekonomi

Turizmi dhe rënia e inflacionit po mbushin me doza optimizmi sipërmarrësit dhe qytetarët shqiptarë. Në pyetësorin e muajit të shkuar të Banka së Shqipërisë bën, treguesi i ndjesisë ekonomike që mat aftësinë e bizneseve për të kryer investime dhe konsumatorëve për të shpenzuar u rrit me 6.6 pikë duke shkuar në 133.2 pikë.

Në prag të sezonit masiv veror, besimi i bizneseve në fushën e shërbimeve ku përfshihen supermarketet, baret e restorantet u rrit me 8.2 pikë përqindje në prill. Edhe më i fortë rezulton optimizmi te bizneset në sektorin e tregtisë. Besimi te tregtarët e ushqimeve apo veshjeve u rrit me plotë 9.3 pikë përqindje duke shënuar kështu një rekord të r historik.

“Po shohim që ndonëse sezoni turistik masiv nuk ka nisur ende, ka shumë turistë. Ata gjallërojnë konsumin te bizneset e shërbimeve dhe rrjedhimisht te tregtia. Ndaj këtu ka optimizëm të shtuar”, u shpreh Romina Radonshiqi, eksperte e ekonomisë.

Rënia e inflacionit, me ritme edhe më të shpejta se pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë ka bërë që edhe konsumatorët të besojnë se ekonomia po shkon. Besimi në prill te qytetarët u rrit me 3.8 pikë përqindje, duke përforcuar prirjen rritëse të nisur muajin e kaluar. Por gjetjet e Bankës së Shqipërisë nuk përqafohen nga të gjithë qytetarët.

“Nuk është ky realiteti. Ça besimi të kemi ku gjithçka rritet. Çmimet janë të papërballueshme. Duhet të ndërhyjë qeveria”, shprehen qytetarët.

Dhe kjo për ekspertë të ekonomisë shpjegohet kështu:

“Kjo pasi me gjithë rënien e inflacionit si tregues i përgjithshëm, kjo ecuri nuk është reflektuar te çmimet e produkteve bazë ushqimore që vijojnë të mbesin të shtrenjta”, shtoi Radonshiqi.

Pas disa muajsh në rënie, prilli ri-zgjoi optimizmin edhe te bizneset në sektorin e industrisë Bazuar te pritshmëritë për më shumë shitje, bizneset në këtë sektor shfaqën besim në rritje, me 3.5 pikë përqindje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos