“Procesi i integrimit dhe negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian është ‘mangi questa minestra’.”
Me këtë proverbë italiane, që në shqip do mund të përkthehej në “merre ose leje” zgjodhi kryeministri Edi Rama që t’i kërkonte bizneseve për “të bashkuar forcat” për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Edhe sektori privat ka përgjegjësitë e veta të mëdha. Do të ketë kostot e veta të pashmangshme në këtë proces. Do të duhet të bëjë sakrificat e veta për këtë proces. Ka një emërues të përbashkët dhe ky emërues i përbashkët është që ky proces në këtë fazë kërkon dije. Kërkon dije të reja.”
Nga mbledhja e radhës së Këshillit Ekonomik Kombëtar, ministri i Financave Ervin Mete tregoi edhe se kur do të miratohet paketa e ndihmës në formën e garancive sovrane për sektorin e manifakturës.
“Presim ta kalojmë në qeveri javën tjetër për të përcaktuar detajet, të cilat do të jenë ndoshta edhe më pozitive se sa kanë qenë garancitë sovrane në kohën e pandemisë. Po flasim për një garanci që mbulon rreth 70% marrjen e kredive nga sistemi bankar, për një marzh 1.5 apo 2%, për një “grace period” rreth 9 muaj dhe që besojmë se, qoftë për pjesën e investimeve, qoftë për pjesën e lëndës së parë që ka pasur nevojë sektori, do të jetë ndihmuese.”
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj tregoi edhe mbi çështjet e tjera të diskutuara në mbledhjen e Këshillit Ekonomik.
“Temat janë rrotulluar te sektorët e nën-financuar. Bujqësia është një prej tre. Është sektor jetik për vendin. Ndërkohë duhen modernizuar edhe instrumentet e bizneseve për të rritur produktivitetin dhe jo vetëm.”
Nga mbledhja e Këshillit Ekonomik Kombëtar, kryeministri Rama përsëriti qëndrimin e qeverisë për të miratuar projektligjin për Dhomën Ekonomike Kombëtare. Nisma ligjore parashikon shkrirjen e dhomave të biznesit në një të vetme. (A2 Televizion)