Nis skema kombëtare, bujqit dhe blegtorët shqiptarë kanë kohë deri në 19 prill për të aplikuar

Nga Marjo Brakaj
27 Mars 2024, 15:32 | Ekonomi

Aplikimet për të përfituar naftën falas dhe masat e tjera mbështetëse nga Skema Kombëtare e Bujqësisë dhe Blegtorisë janë hapur. Bujqit dhe blegtorët shqiptarë kanë kohë deri në 19 prill për të paraqitur kërkesat e tyre. Këtë herë procesi nuk do të jetë i ndërtuar mbi parimin “kush aplikon i pari përfiton” siç ka ndodhur vitet e mëhershme.

“Nuk ka nxitim që fermeri të vejë e të vrapojë në dyer e Drejtorive Rajonale të Bujqësisë, AREB-eve apo zyrave të ish-njësive administrative. Pavarësisht se kur do të bëhet aplikimi, të gjithë do të jenë të kualifikuar pavarësisht e kur aplikojnë”, tha Dhimitër Kote, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Përparësi do të kenë ata fermerë që bashkohen. “Ata individualë do të mbështeten, por pasi të kenë përfituar ata që bashkohen. Kjo sipas konceptit të Kooperativave Bujqësore”, tha Kote. Edhe këtë vit fondi në dispozicion, në masën 3.3 miliardë lekë mbetet i pamjaftueshëm për të mbështetur të gjithë fermerët. Paratë  janë të mjaftueshme vetëm për 70 mijë fermerë, nga 97 mijë në total të pajisur me NIPT.

“Të gjithë fermerët që do të aplikojnë do të përfitojnë. Kjo nuk ka diskutim. Kjo pasi në qershor do të rialokohen fonde të tjera. Ne presim që fondi në dispozicion të tejkalojë edhe atë të vitit të shkuar”, u shpreh Dhimitër Kote, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Nga viti i ardhshëm, fermerëve shqiptarë pritet t’iu rivihen në dispozicion edhe fondet e Bashkimit Europian, veç atyre në skemën kombëtare.

“Me procesin e bisedimeve që po ndodh mund të them që në vitin 2025 do të kemi zhbllokimin e fondeve IPARD 3”.

Këtë vit fermerët nuk do të marrin bidonë apo tollona për naftën, por para’ në llogaritë e tyre bankare për ta blerë vetë atë. Skema mbetet e pandryshuar në drejtim të masave. Ata që kanë lopë do të marrin 10 mijë lekë për krerë, ndërsa ata që mbarështojnë të imëta 1 mijë e 200 lekë. Me 1 mijë lekë do të mbështeten bletarët, ndërsa kultivuesit e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit do të marrin 200 mijë lekë për hektarë. Në skemë janë përshirë edhe bimët medicinale me 30 mijë lekë për hektarë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë