Ministria e Financave dhe Ekonomisë beson se ditët e mira për ekonominë shqiptare do të vijojnë edhe gjatë këtij viti.
“Parashikimet tona janë që ekonomia të zgjerohet , mbështetur nga kërkesa e brendshme, turizmi, energjia dhe ndërtimi”, tha ministri Mete.
Por ekuilibrat financiare rrezikohen nga skema e pensioneve, ndaj ajo do të rishikohet rrënjësisht.
“Duke pritur edhe rezultatet e Censusit do të kemi më shumë informacion për ta marrë parasysh skemën e pensioneve dhe shtyllat e mbrojtjes sociale”, shtoi ministri.
Në një kohë që kriza për punonjës po ndihet edhe më fortë në turizëm, Mete paralajmëroi se Call-Center mund të jetë zgjidhja për sektorin që udhëhoqi rritjen ekonomike gjatë vitit të shkuar.
“Do të vijë momenti që të kalojnë të rinjtë nga call center-a në turizëm, kjo është në këtë moment ekonomik ku ndodhemi ne, e shëndetshme edhe për sektorët edhe për ekonominë”, u shpreh ai.
Nga konferenca mbi bilancin e ekonomisë gjatë vitit të shkuar dhe pritshmëritë nga 2024, Ministri i Financave dhe Ekonomisë tregoi edhe se kur do të nisë shpërndarja e fondeve 6 miliardë euro në kuadër të planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor.
“Pritet të finalizohet plani i reformave. Më pas çdo 6 muaj bëhet disbursimi i fondeve që na takon.”
Detaje dha edhe mbi nismën ligjore për sigurimin e detyrueshëm nga tërmeti.
“Do të kompensohen vetëm dëmet për tërmetet mbi 5 ballë. Ka disa diskutime. Mund të jetë edhe 4.5 ballë”, deklaroi Mete.
Së afërmi, në rast të shitblerjeve të apartamenteve në vend do të bëhet mbi një çmim reference, ku do të merret parasysh edhe periudha kur është ndërtuar objekti. Po çdo një vit vjetërsi, do të aplikohet 1 për qind ulje në çmimin e referencës, sipas zonës. (A2 Televizion)