Tatëpjeta e eksporteve shqiptare si pasojë e zhvlerësimit të euros është frenuar... të paktën këtë fillim-vit. Nga më pak se 30 miliardë lekë një vit më parë, muajin e shkuar në tregjet e huaja u shitën mallra që kushtuan pak më shumë se 31 miliardë lekë. Rritja përllogaritet në rreth 1.5 miliardë lekë apo 4.9 për qind.
Kontributin kryesor në këtë ecuri e ka dhënë eksporti i naftës bruto të nxjerrë nga fushat e Patos-Marinzës që në janar u zgjerua me 13 për qind. Me përjashtim edhe të ushqimeve e pijeve, të gjithë grupet e tjera të produkteve paraqiten në rënie duke konfirmuar se “kriza e eksporteve nuk ka marrë fund”.
“Nuk kemi të bëjmë me nj me një kthesë. Kemi thjesht një grup produktesh, në këtë rast karburanti që ka shënuar zgjerim të konsiderueshëm e rrjedhimisht ka ndikuar në peshën totale. Por kriza e eksporteve vijon”, tha për A2 CNN eksperti për ekonominë, Edison Zaçaj.
Lehtë muajin e shkuar u zgjeruan edhe importet, vlera e të cilave kapi shifrën e mbi 60 miliardë lekëve. Në krahasim me janarin e një viti më parë, rritja përllogaritet në vetëm 0.1 për qind.
“Kemi një krizë konsumi e cila pritet të bëhet edhe më e ashpër në vijim si pasojë e largimeve nga vendi. Turistët nuk po ndikojnë në zgjerimin e konsumit e rrjedhimisht n zgjerimin e konsumit e rrjedhimisht në nxitjen e prodhimit vendas apo importeve”, shtoi Zaçaj.
Me eksportet që morën një kthesë të vogël dhe importet e rritura lehtë, bilanci tregtar u mbyll pozitiv për vendin muajin e shkuar.
“Vijojmë te kemi një bilanc aspak premtuar që rrezikon të na kthejë shumë pas në kohë me një deficit tregtar të theksuar.”
Muajin e shkuar Shqipëria ka eksportuar më shumë produkte drejt Kosovës, Spanjës dhe Greqisë. Nga ana tjetër, kompanitë shqiptare kanë çuar më pak produkte drejt Italisë, Gjermanisë dhe Turqisë. (A2 Televizion)