Financat e buxhetit vendor

Nga Aurora Sulçe
31 Tetor 2024, 15:29 | Ekonomi

Vitin e ardhshëm, bashkitë do të marrin më shumë fonde nga buxheti i shtetit. Për rritjen e pagave të administratës vendore, por jo vetëm. Edhe për një mundësi menaxhimi më të mirë, në kushtet kur një pjesë e bashkive kanë probleme të theksuara financiare, por edhe faktit se 2025 është një vit zgjedhor dhe përballja për votat ndodh në terren, aty ku pushteti vendor është më afër.

Financat e buxhetit vendor

Në buxhetin 2025, shpenzimet e buxhetit vendor janë parashikuar në masën 89.8 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 10.5 miliardë lekë kundrejt buxhetit vendor të këtij viti. Në këtë zë është përllogaritur transferta e pakushtëzuar, thënë ndryshe fondet që qeveria jep për bashkitë; financimi i funksioneve të reja; financimi i rritjes së pagave; si dhe të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore, që siç shihet nga grafiku, vitin e ardhshëm parashikohet të kenë një rritje vjetore prej 3.6 miliardë lekë.

Por sa para më shumë do të japë qeveria për bashkitë vitin e ardhshëm?

Financat e buxhetit vendor

Transferta e pakushtëzuar vitin e ardhshëm do të arrijë në 26.2 miliardë lekë. Thënë ndryshe, qeveria do të japë 1.9 miliardë lekë më shumë për bashkitë. Ky është niveli më i lartë i transfertës së pakushtëzuar në vitet e fundit.

Dhënia e më shumë financimeve për pushtetin vendor do të ndihmojë këtë të fundit të funksionojë më mirë dhe padyshim, synimi është që të ulen edhe borxhet.

Financat e buxhetit vendor

Detyrimet e prapambetura kanë arritur këtë vit më 4.2 miliardë lekë, duke qenë shqetësim veçanërisht për një pjesë të bashkive, që kanë mundësi dhe kapacitete të pakta në mbledhjen e të ardhurave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos