Pavarësisht krizës së çmimeve dhe normave të rritura të interesit, shqiptarët po arrijnë të paguajnë rregullisht këstet e tyre të kredisë. Fundi i pushimeve verore, periudhë në të cilën kursimi bëhet mision gati i pamundur, ka rritur aftësinë paguese të individëve duke rikthyer në rënie për të dytin muaj me radhë, kreditë e këqija. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se huatë e papaguara në kohë në tetor ishin sa 5.12 për qind e totalit, niveli më i ulët në nëntë muajt e fundit.
“Unë mendoj se luhatjet e kredive, si të atyre jo-performuese dhe atyre të këqija, pa shpresa kthimi janë brenda pritshmërive dhe standardeve. Kjo garanton që nuk kemi rreziqe të shtuara, si në krizat e mëhershme”, tha Arben Malaj, ish-ministër i Financave.
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se portofoli i kredive të këqija në tetor u pakësua me 1.12 pikë përqindje në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.
“Kryesisht kredimarrësit goditen nga inflacioni dhe normat e interesit. të dy këta tregues janë përmirësuar në raport me një vit më parë. Gjithashtu kemi rritje të pagave në disa sektorë. Shtohen të ardhurat e rrjedhimisht aftësia paguese. Mbivlerësimi i lekut gjithashtu ka qenë faktor”, shtoi ai.
Pavarësisht se kreditë e këqija janë në nivelet më të ulëta historike, Banka e Shqipërisë po përgatit një rregullore e cila parashikon shtrëngim të kushteve të dhënies së huave për individët dhe bizneset. (A2 Televizion)