Nga “asnjë gjurmë nga tërmeti” te “të gjithë në shtëpi të reja”, herë me afate “brenda pranverës” apo “jo më larg se vjeshta”... katër vite më pas, zotimet po tregojnë se kanë nevojë edhe për ca kohë e shumë miliarda lekë që të quhen të mbajtura.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka parashikuar 7 miliardë lekë, me kursin aktual të këmbimit rreth 68.6 milionë euro të tjera për vitin 2024, për të përmbyllur procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Janë të paktën 18 pallate në të cilat duhet të përfundojë rindërtimi, ndërsa te 36 të tjera të përmbyllet rikonstruktimi. Ndërkohë janë edhe katër objekte arsimore në proces rindërtimi.
Të dhënat tregojnë se nga viti 2020 e deri më ë tani kanë dalë nga buxheti i shtetit 90.5 miliardë lekë, apo gati 900 milionë euro për rindërtimin dhe pagesat e qirasë për ata që humbën banesat.
Shuma e lartë u detyrua të dalë nga buxheti i shtetit pasi një pjesë e mirë e fondeve të premtuara në “Konferencën e Donatorëve” nuk u arritën të merreshin.
Por, me gjithë vënien në dispozicion të arkës së shtetit, rindërtimi po ecën me ritme më të ngadalta se parashikimet. Të dhënat nga “financat” tregojnë se në harkun e muajve janar-tetor ishin planifikuar 9 miliardë shpenzime për rindërtimin, por u përdorën vetëm 5.4 miliardë apo 60 për qind e shumës në dispozicion.
Ndërkohë procesi i rindërtimit parashikohet të përmbyllet plotësisht fundin e vitit të ardhshëm. (A2 Televizion)