Për një kredi deri në 200 mijë lekë, ai që merr hua në institucionet financiare, jo banka, do të paguajë maksimalisht 2-fishin e shumës. Banka e Shqipërisë ka përditësuar tavanet e interesit për kreditë nga mikrofinanca që për shumat nga 200 e 1 mijë e deri në 600 mijë lekë do të jetë 40.06 për qind.
Ndërkohë për kreditë nga 600 e 1 mijë e deri në 2 milionë lekë, norma maksimale e interesit bëhet 15.6 për qind nga 27.27 për qind që ishte deri në fund të dhjetorit.
“Janë disa arsye që kanë ndikuar në këtë vendimmarrje. Si fillim është situata ekonomike. Banka e Shqipërisë po përpiqet të mbajë nën kontroll këto institucione, mbi të cilat ka pasur shpesh akuza për abuzim. Banka po përpiqet të mbajnë nën kontroll marzhet e fitimit të mikrofinancës”, tha eksperti i ekonomisë, Igli Tola.
Normat maksimale të interesit janë ulur edhe për overdraftet, forma e dytë më e përhapur e huamarrjes e cila përgjithësi lidhet me pagën e individit. Për shumat deri në 200 mijë lekë norma maksimale e interesit të jetë 18.6 për qind, ndërsa për ato deri në 600 mijë lekë, 17.55 për qind.
“Do të ndikojë te konsumi. Pasja e normave të interesit disi më të pranueshme i shtyn qytetarët që kanë nevojë të marrin kredi. Rrjedhimisht kjo sjell më shumë konsum e qarkullim në ekonominë e vendit. E rëndësishme është monitorimi që të kapen të gjitha rastet abuzive”, shtoi Tola.
Banka e Shqipërisë miratoi në fund të vitit 2021 normat tavan të interesit për kreditë konsumatorë. Vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë erdhi edhe si pasojë e raportimeve të shumta për abuzime me normat e interesit të dhëna nga institucionet e financiare jo banka. Për ekspertët, tavani maksimal mund të ulet ende, duke iu afruar normave që bankat tregtare ofrojnë për individët. (A2 Televizion)