Ndonëse me ritme jo të njëjta, pas sigurisë dhe drejtësisë, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shtojnë edhe bashkëpunimin ekonomik. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se deri në fund të shtatorit të shkuar, investimet amerikane u zgjeruan me mbi 46 milionë euro. Ky është niveli më i lartë i viteve të fundit.
Nga përtej “Atlantikut” vitin e shkuar erdhën mallra si kurrë më parë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vlera e mallrave që Shqipëria importoi nga Shtetet e Bashkuara në 12 muajt e 2023-shit arriti në gati 167 milionë euro. Kjo është shifër 2-fish më e madhe se në 2018-n dhe 32 për qind më e lartë se ajo e regjistruar vitin e shkuar.
Por kundërta rezulton të ketë ndodhur në kahun tjetër, atë të eksporteve. Vlera e mallrave shqiptarë të shitur në tregjet amerikane gjatë 2023-shit përllogaritet në 94.2 milionë euro, 35.5 milionë euro më pak se në 2022-shin. Megjithatë në raport me vitet 2018-2019 apo 2020, kjo shifër është gati dy herë më e lartë.
Ndërkohë, Shqipërinë e vizituan vitin e shkuar gati 179 mijë turistë amerikanë, një rekord i ri ky në historinë e marrëdhënieve të dy shteteve, dikur “armiq të papajtueshëm.”
Por, me gjithë ecurinë pozitive, Shqipëria mbetet pak e lidhur me Shtetet e Bashkuara në krahasim me vendet e rajonit. Madje, në rrafshin e investimeve të huaja në vend, SHBA-të renditen ndjeshëm pas Holandës Zvicrës, Turqisë apo Greqisë.
Në vitin 2020, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës firmosën një Memorandum për Bashkëpunim Ekonomik, i pari pas Marrëveshjes Ekonomike të vitit 1992. (A2 Televizion)