Rënia e euros, Soko: Do vijojë! Preçi: Ndikon krimi! Shkodra: Bizneset të adaptohen! Vakaj: Ja disa faktorë që ndikuan

Nga A2 CNN
10 Maj 2024, 22:19 | Ekonomi

Rënia e euros, Soko: Do vijojë! Preçi: Ndikon krimi! Shkodra:

Euro ka zbritur nën 100 lekë, duke shkelur kështu “vijën e kuqe”. Kjo do të thotë se e konsideruara valuta e fortë nuk është më e tillë. I ftuar në A2 Business, Dritan Vakaj, drejtues ekzekutiv i shoqatës së zyrave të këmbimit valutor ka listuar arsyet që kanë çuar në rënien e monedhës europiane dhe forcim të lekut.

“Kemi një qeveri që nuk po shpenzon, ndërkohë Ky vit ka pasur ndoshta risi dhe nga vitet e kaluara, si futjen e biznesit të vogël në tatim fitim dhe rritjen e barrës fiskale për biznesin e vogël dhe të mesëm, ndërkohë qeveria ka një suficit 3-4 miliardë, që nuk po hidhen në formën e investimeve, që ka ulur kërkesën për lekun, kemi mbi 40% e kredisë në euro, transaksione po në euro. Qeveria nuk i ka ardhur në ndihmë kësaj oferte të lartë të euros. Pa cekur ekonominë informale dhe paratë e ardhura nga krimi”, listoi eksperti Vakaj.

Mirëpo për Zef Preçin, ish-ministër ekonomie, ky fenomen nuk është i jashtëzakonshëm, duke thënë se një ndikim të madh kanë paratë e gjeneruara nga aktiviteti kriminal, e që sipas tij qeveria “mbyll sytë”.

“Asgjë që duhet parë si e jashtëzakonshme. Ky nivel i euros reflekton pompimin e parave kriminale në ekonomi, ka një tolerancë të pashpjegueshme të aktiviteteve kriminale që shprehet në euro, niveli i informalitetit vijon i lartë, ka edhe një zbehje të fuqisë zbuluese të institucioneve ligjore”, tha Zef Preçi, ish-ministër ekonomie.

Nga ana tjetër, për eksperten Brunilda Isai, turizmi, investimet e jo rezidentëve në pasuritë e paluajtshme, shtimi i remitancave janë faktorë të mjaftueshëm që justifikojnë rënien e euros.

“Nëse i referohemi shifrave, turizmi kemi rritje, që një burim të valutës së huaj që është i dukshëm është i justifikuar, ndërkohë investimet e jo rezidentëve në pasuritë e paluajtshme, ky është një fluks i shtuar, remitancat gjithashtu janë në rritje, këto faktorë që ne masim i justifikojnë, edhe kufizimet e hedhjes së lekut në treg kanë ndikuar në forcimin e saj”, u shpreh ekspertja Brunilda Isai.

Teksa euro ka rënë në nivelin më të ulët, eksperti Pano Soko thekson trendi do vijojë në rritje.

“Do vazhdojë të bjerë, ky është normaliteti i ri, do kemi një monedhë të paqëndrueshme evropianë”, tha Soko.

Për rrjedhojë, Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar, thotë se bizneset duhet të adaptohen me “rregullat e reja”, në të kundërtën pasojat do jenë vrastare.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli