Një performancë e mirë e turizmit në 2023 është reflektuar pozitivsht në ekonomi, por përfitimet për vitin aktual pritet të ndikohen nga emigrimi i fuqisë punëtore dhe plakja e popullisë. Ky është parashkimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për ekonominë e vendit për 2024, teksa pritshmëritë për rritjen ekonomike i mban në 3,3%, 0,3% më pak se në vitin që lamë pas.
“Ndërsa vendi është në rrugën e anëtarësimit në BE, autoritetet po përballen me disa pengesa që ndikojnë produktivitetin dhe arritjen e standardeve më të larta të jetesës. Këto përfshijnë informalitetin e përhapur, dobësitë në qeverisje dhe sundim të ligjit, boshllëqe të konsiderueshme gjinore në pjesëmarrjen në fuqinë punëtore, pasivitetin e lartë të të rinjve dhe hendeqet në infrastrukturë. Shkalla e lartë e emigrimit të punëtorëve dhe plakja e popullsisë përbëjnë kërcënime shtesë për rritjen ekonomike”, lexohet në raportin e FMN-së.
Në rishikimin e bërë të artikullit IV të konsultimeve për Shqipërinë, FMN e konsideron perspektivën ekonomike të vendit të qëndrueshme edhe në vijim, të udhëhequr kryesisht nga aktiviteti i turizmit dhe të ndërtimit. Ndalur tek inflacioni në vend, në raport thuhet se objektivi i Bankës së Shqipërisë pritet të arrihet 1 vit më pas: “Inflacioni lëviz rreth 4% mes tregjeve të shtrënguara të punës dhe pritet të kthehet gradualisht në objektivin prej 3% deri në fillim të vitit 2025”.
Teksa ndërrmarrjen e politikave makroekonomike i konsideron të suksesshme, FMN thotë se Shqipëria duhet të shfrytëzojë më tepër mundësitë e ofruara nga zgjerimi i BE-së për të trajtuar sfidat strukturore afatgjata. (A2 Televizion)