Shkak, lufta dhe turizmi. Inflacioni kërcen në 3%, niveli më i lartë në dy vite e gjysmë

Nga Marjo Brakaj
8 Qershor 2026, 11:25 | Ekonomi

Inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë rritjes së çmime ka arritur në nivelin më të lartë në dy vite e gjysmë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se muajin e shkuar, inflacioni u rrit në 3 për qind nga 2.8 për qind në prill. Krahasuar me majin e një viti më parë inflacioni është rritur me 0.8 pikë.

“Janë thuajse të njëjtët faktorë si përherë që po shkaktojnë këtë ecuri. Çmimet e naftës kryesisht”, thotë për A2 CNN Adrian Civici, pedagog, ekspert për ekonominë.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se nga 1.5 për qind në maj 2025, muajin e shkuar inflacioni te lëndët djegëse u rrit në 4.2 për qind. “Ore dakord që u rrit nafta dhe rriten çmimet. Puna këtu është se një herë që rriten, çmimet nuk ulen më”, thotë një qytetar.

Pavarësisht daljes në treg të vendas, inflacioni tek ushqimet dhe pijet muajin e shkuar u rrit në 2.2 për qind nga 1.3 për qind në prill. Gjithsesi treguesi mbetet ndjeshëm më i ulët në raport me një vit më parë.

“Në gjykimin tim, te ushqimet dhe pijet inflacioni ka mbetur në nivele të larta si pasojë e mbajtjes së çmimeve në nivele të larta nga tregtarët duke zgjeruar marzhet e tyre të fitimit”, thotë Civici.

Nëse inflacioni do të shkelë ‘vijën e kuqe” 3 për qind që është edhe objektivi i dëshiruar, atëherë Banka e Shqipërisë do duhet të ndërhyjë duke rritur normën bazë të interesit për lekun.

“Politikat e Bankës së Shqipërisë, politika monetare që ka ndjekur për rritjen e normës bazë të interesit, shoqëruar nga qetësimi i tregjeve ku ne importojmë kanë sjellë një lloj zbutjeje të normës së inflacionit duke e çuar në këto nivele”, thotë Civici.

Aktualisht norma bazë e interesit për lekun është 2.5 për qind, nga 3.25 për qind që arriti në 2024-n, kur banka ndërhyri për të frenuar rritjen e çmimeve që erdhën si rrjedhojë e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos