Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish influencerët dhe blogerët që kanë mbështetur protestën kundër projektit në Zvërnec.
Gjatë fjalës së mbajtur në 35-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Socialiste në Shkodër, Rama përdori ironi dhe batuta për të kritikuar ata që kundërshtojnë zhvillimin e zonës.
Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria nuk mund të humbasë kohë me “broçkulla dhe pallavra”, ndërsa theksoi se vendi duhet të vazhdojë rrugën e zhvillimit.
“Po si mund të humbasë kohë Shqipëria? Pse nuk jemi dhe ne sot si Mali i Zi, madje ku e ku më mirë se ai? Sepse duhet të nxjerrim të huajt jashtë? Sepse duhet ta bëjmë Shqipërinë rezervat për blogerë dhe influencerë?”, tha Rama.
“Ty nuk të pengon të shkosh çdo fundjavë në Paris apo në Dubai, por nuk ke pse t’u thuash shqiptarëve që atje e dua komplet të virgjër bregun e detit, nuk dua asnjë ndërtim. Atje dua rërën, dua flamingot dhe dua të dal me bikini për të bërë foto”, u shpreh ai.
“Kishte edhe nga ato që para se të flisnin për natyrën dhe flamingot, reklamonin kremra fytyre. Unë kam respekt për të gjithë ata që përdorin kremra, por pyetja është: nga çfarë duan ta mbrojnë Shqipërinë këta?”, deklaroi kryeministri.
“Ne nuk pretendojmë se kemi bërë gjithçka mirë, por askush nuk mund të dalë dhe të thotë që ne jemi tradhtarë apo shkatërrimtarë. Ne jemi patriotë dhe shpëtimtarë”, përfundoi ai. (A2 Televizion)