Në një kohë kur qytetarët janë ngritur në protesta të përditshme dhe kërkojnë shfuqizimin e disa ligjeve, Partia Demokratike kërkesat e tyre i ka zyrtarizuar në Kuvend.
Paketa që mban firmë e kreut të Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi përfshin 4 ligje për shfuqizim, mes tyre edhe ato që Bashkimi Europian kërkon për rishikim.
“Paketa që dorëzuam në Kuvend nuk është thjesht një nismë partiake e opozitës. Ajo sjell në Parlament zërin e shoqërisë që proteston kundër shkatërrimit të Shqipërisë nga një qeveri që deri më sot e ka trajtuar vendin si pronë private”, tha Bardhi, përcjell A2 CNN.
Me këtë paketë ligjore kërkohet mbrojtja e natyrës, trashëgimia kulturore dhe zonat malore. “Ne po risjellim në Parlament zërin e shoqërisë që është kundër ligjit për investimet strategjike, simbol i modelit ekonomik të Edi Ramës; një model i bazuar te favorizimi, korrupsioni dhe përdorimi i pushtetit në funksion të interesave private. Besoj fort se shoqëria shqiptare duhet të hyjë në një fazë të re. Një fazë ku të gjithë të kenë mundësi të barabarta. Në një fazë ku shoqëria nuk pajtohet me modelin e sundimit të më të fortit mbi më të dobëtin. Ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Ku të sundojë shteti ligjor dhe jo ligji i xhunglës”, tha Bardhi.
Por kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, përsërit edhe kërkesën e pestë të protestuesve atë të largimit të Edi Ramës. “Ka ardhur koha të reflektojë. Ka ardhur koha që Edi Rama të japë dorëheqjen”.
Këtë kërkesë demokratët e kanë shumëvjeçare në aksionin e tyre opozitar, por pa gjetur frymën që shoqëron protestat e javës së fundit në Tiranë. (A2 Televizion)