“Zgjohen” bashkitë për turizmin, po gjejnë rrugët e promovimit dhe tërheqjes së investitorëve

Nga Marinela Lina
1 Shkurt 2024, 11:07 | Ekonomi

“Zgjohen” bashkitë për turizmin, po gjejnë

Parashikimi për një rritje të turizmit me 30% në 2024 i ka “zgjuar” edhe bashkitë e vendit të jenë më të angazhuara në sezonin turistik. Të mëdha e të vogla po mendojnë si të promovojnë zonat e tyre.

“Ne këtu kemi paraqitur momente të kulturës të Bashkisë Lushnjë më të veçanta; Manastiri i Ardenicës dhe Kongresi Kombëtar i Lushnjës. Jo vetëm kaq, por dhe burimet ujore dhe shtigjet e reja të ecjeve”, u shpreh Niko Ferro, drejtor i Muzeut Lushnjë.

Sipas të dhënave të INSTAT, turistët kanë një interes të lartë për zonat historike dhe kulturore, ku dhe bashkitë jo bregdetare po përqendrohen më shumë në promovim.

“Kemi një besim në ekonominë e Shqipërisë, rritjen e saj dhe udhëtarëve në këtë shtet. Ne duam të ofrojmë produktin tonë në Shqipëri dhe të rrisim bashkëpunimin me agjencitë turistike. Prurja e turistëve nga vendet e tjera në Sarandë është një nga prioritetet tonë në vijim”, thotë Igor Odak, operator turistik, Kroaci.

Jo vetëm për turizëm, ja çfarë përfshijnë bashkitë në agjendën e promovimit të qyteteve.

“Ftojmë si vizitorët, por dhe investitorët të vijnë në Elbasan. Potencialet që kemi në rrugën Egnatia për turizmin historik dhe kulturor. Kemi pjesën e aventurës në lumin Shkumbin me rafting dhe kajak. Ky është synimi të rritemi cilësisht dhe potencialisht”, u shpreh Artur Guni, drejtor i Agjencisë për Kulturë dhe Turizëm, Bashkia Elbasan.

Operatorët turistik bëjnë të ditur se prenotimet e shumta kanë nisur tashmë për sezonin veror.

“Është viti i parë realisht që kërkesat kanë filluar që në janar. Fokusi ynë kryesor janë turet brenda dhe jashtë Shqipërisë”, shprehet Armela Bizdani, operatore turistike.

Qeveria parashikon 3-5 milionë më shumë turistë në këtë sezon veror 2024. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos