Pas një fillim viti në rënie, duket se normat e interesit të bonove të thesarit kanë ngjitur trajektoren. Në ankandin e tretë të 2024-s, norma e interesit të bonove u rrit në 3.6 për qind nga 3.44 për qind që ishte më herët.
Teksa kjo duhet të përkthehej në një lajm të mirë për investitorët, kërkesa për t’i blerë mbetet e ulët. Banka e Shqipërisë bën të ditur se nga 7 miliardë lekë të kërkuara, qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë ofruan 5.58 miliardë lekë.
Periudha më e mirë në investimin e këtyre letrave me vlerë, të cilat qeveria i përdor për të paguar borxhet, ishte viti 2023 ku dhe norma e interesit qëndron në nivelin e 5.03%. Ky fund të janarit e gjen këtë tregues 1.5 për qind më pak.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, bonot e thesarit 12-mujore pritet të jenë instrumenti kryesor që qeveria do të përdorë për të marrë hua. Nëpërmjet këtyre letrave me vlerë parashikohet të garantohen gati 200 miliardë lekë.
Në total, për të mbuluar deficitin buxhetor, paguar borxhet e vjetra dhe për të financuar disa projekte, qeveria planifikon të marrë 415,2 miliardë lekë hua këtë vit. Sipas planifikimeve të Ministrisë së Financave, pjesa më e madhe e huave, mbi 378 miliardë lekë, pritet të merren brenda vendit. Me anë të një Eurobondi, pritet të sigurohen edhe 36,6 miliardë lekë të tjera.
Por teksa rritja e normës së interesit për bonot e thesarit 12-mujore këtë fillim-vit është një lajm i mirë për investitorët nga ana tjetër mund të jetë një lajm i keq për kredi-marrësit shqiptarë në lekë të cilët do të duhet të paguajnë më shumë për këstet e tyre të kredisë. (A2 Televizion)