Dy të rinj nga Kamza janë arrestuar nga policia pas finalizimit të operacionit “California”, ku u zbulua një rast i trafikimit të lëndëve narkotike nga SHBA drejt Shqipërisë.
Sipas autoriteteve dy të rinjtë akuzohen për trafik droge, pasi ishin ata që porosisnin sasitë e kanabisit, të cilat mbërrinin në kryeqytet përmes shërbimit postar. Në pranga kanë përfunduar 27-vjeçari Skënder Vata dhe Jurgest Luzi, 24 vjeç.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në kuadër të procedimit penal me metoda speciale hetimore, nr. 3748 të Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “California”.
Si rezultat u godit një rast i trafikimit të lëndëve narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar, dhe u vunë në pranga shtetasit S. V., 27 vjeç dhe J. L., 24 vjeç, të dy banues në Kamëz. Këta shtetas dyshohet se kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar.” (A2 Televizion)