Gjykata e Posaçme anti-korrupsion ka vendosur vijimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ për shtetasin Leonard Luzi, i ekstraduar nga Spanja.
Luzi akuzohet për porositjen e vrasjeve të Inez Hajrulla (I njohur edhe si Ini i Çones) dhe Ervis Matodashaj në Vlorë, vrasje që do të kryheshin me pagesë nga Amarildo Nikolli.
Ky i fundit u arrestua para se të kryente vrasjet, teksa ishte i armatosur dhe më pas tregoi në dëshminë e tij edhe porositësin.
Në dëshminë e Nikollit thuhej se Luzi do të paguante 500 mijë euro për kryerjen e 2 vrasjeve, shkruan A2 CNN.
Njoftimi i GJKKO:
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 09.11.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal, në zbatim të nenit 248 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Leonard Luzi”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, bazuar në nenet 248, 228, 229, 230, dhe 245 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 136, datë 10.11.2024, vendosi:
1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj të pandehurit Leonard Luzi (alias Zejno, alias Sejno), me vendimin Nr. 11, datë 05.02.2024, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore, për ekzekutimin e këtij vendimi.
3. Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Tiranë, më datë 10.11.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (A2 Televizion)