Gjykata e Korçës ka lënë në burg pa afat Ilir Çamin, 41 vjeçarin i cili akuzohet për "vrasja me dashje" e mbetur në tentativë, shkruan A2 CNN.
Tre ditë më parë Çami në vendin e quajtur "Trekëndëshi" në një lagje periferike të qytetit të Korçës ka goditur me thikë ish të dashurën Mandarina Çela, duke e lënë të plagosur rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Prokuroria me provat e paraqitura ka bindur gjykatën të lërë në burg 41 vjeçarin nga fshati Vithkuq i qytetit të Korçës i cili kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni.
Në deklaratën e dhënë para policisë por edhe gjykatës, Ilir Çami është shprehur se pasi mbaroi masën e arrestit në shtëpi, ishte larguar drejt Greqisë dhe përsëri kishte komunikuar nëpërmjet telefonit me Mandarina Çelën.
Ditët e fundit ajo kishte kërkuar shkëputjen e marrëdhënies me 41 vjeçarin por një gjë e tillë nuk është pranuar nga ana e Ilir Çamit.
Ilir Çami ka qenë në një bashkëjetesë në Greqi, por i divorucuar se fundmi, ndërsa Mandarina Çela është nëna e tre fëmijëve, e martuar rreth 15 vite më parë.
Sipas mbrojtjes gjatë seancës gjyqësore Ilir Çami ka shprehur pendesë për plagosjen por ka ngritur pretendimin se Mandarina Çela ka përfituar prej tij shuma monetare në periudha të ndryshme që arrinin deri në 5 milionë lekë të vjetra.
Gjatë seancës ai ka shpjeguar se arsyeja e konfliktit ka qenë pikërisht fakti se Mandarina nuk i kthen lekët që i ka marrë.
Pavarësisht të gjithave ai ka thënë se është ende i dashuruar me Çelën. (A2 Televizion)