Tritol për herë të dytë biznesmenit në Shkodër, A2 CNN zbardh detajet

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2024, 10:56 | Kronikë

Për të dytën herë pa kaluar ende dy muaj biznesmeni Ardian Fierza në Shkodër u sulmua me lëndë plasëse tritol. Këtë radhë sasia eksplozive u vendos në banesën e Fierzës në rrugën "Pashko Gjeçi" në Shkodër.

Policia vendore e Shkodrës bën të ditur se tritoli u vendos në derën e shtëpisë të Ardian Fierzës, në orët e para të mëngjesit, rreth orës 2:45.

A2 CNN mëson se shpërthimi i fortë ka shkaktuar vetëm dëme materiale ndërsa është dëgjuar në gjithë atë zonë. Deri më tani policia bën të ditur se nuk ka arritur ende që të identifikojë autorët e dyshuar dhe se grupi hetimor është duke punuar për sigurimin e provave me qëllim identifikimin e autorit të kësaj ngjarje.

Në momentin e shpërthimit familja Fierza ndodhej brenda banesës dhe menjëherë kanë dalë të shqetësuar pas kësaj vendosjes së tritolit, raporton A2 CNN. Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë ndërsa përveç dëshmive janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të banesës së Fierzës dhe të tjera në atë zonë.

Herën e parë shpërthimi me tritol ndodhi më 29 gusht tek agjencia funerale që Fierza e ka në pronësi së bashku me bashkëshorten e tij. Edhe atëherë kishte vetëm dëme materiale.

Dy ditë pas asaj ngjarje policia vendore e Shkodrës arriti që të identifikojë autorin e dyshuar, shtetasin Benard Pllumbaj 35 vjeç, i cili u shpall në kërkim.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë 35 vjeçari afrohet i maskuar pranë agjencisë funerale dhe pasi ndez lëndën plasëse e hedh atë pranë derës dhe më pas largohet i qetë, shkruan A2. I gjithë ky moment u filmua nga kamera e sigurisë.

Policia vendore deklaroi se 35 vjeçari dyshohet se e kishte vendosur tritolin tek agjencia funerale për shkak të një borxhi  të pashlyer nga Ardian Fierza.

Që prej asaj kohe 35 vjeçari vijon që të jetë ende në kërkim nga policia vendore e Shkodrës. Ndërkohë dyshohet se edhe kjo ngjarje lidhet me rastin e parë ndërsa policia është duke hetuar për ta zbardhur të plotë edhe rastin e dytë.

Në deklaratën e tij shtetasi Ardian Fierza ka deklaruar për policinë se nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe se nuk e di se cila është arsyeja e vendosjes së tritolit në derën e shtëpisë së tij. Policia nën drejtimin e prokurorisë është duke punuar për të zbardhur edhe këtë ngjarje të dytë ndaj biznesmenit Ardian Fierza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos