Anija me 200 kontejnerë me mbetje të rrezikshme ende në det, reagon Prokuroria e Durrësit

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2024, 16:59 | Kronikë

Anija me 200 kontejnerë me mbetje të rrezikshme ende në det,

Pesë ditë pasi anija me flamur turk “Moliva”, e cila transporton më shumë se 200 kontejnerë me mbetje të dyshuara të rrezikshme mbërriti në portin e Durrësit dhe prokuroria e rrethit vendosi të sekuestrojë kontejnerët, organi i akuzës ka reaguar përmes një komunikate për mediat në lidhje me çështjen.

Prokuroria e Durrësit sqaron se institucionet përkatëse si Autoriteti Portual Durrës dhe drejtoritë janë në fazën e kryerjes së ekzekutimit të urdhrit për sekuestrimin e kontejnerëve, shkruan A2.

“Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, duke marrë parasysh interesin e madh publik në lidhje me procedimin penal nr.1596.2024 dhe ekzekutimin e urdhrit të sekuestros të kontejnerëve, bën me dije se institucionet e ngarkuara për ekzekutimin e urdhrit të sekuestros, datë 27.10.2024 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë organizuar punën dhe janë në fazë ekzekutimi të tij. Ata kanë njoftuar zyrtarisht Prokurorinë në lidhje me masat që kanë marrë, ndërsa vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre”, informon organi i akuzës.

Në vijim sqarohet se deri në momentin e finalizimit të procesit të sekuestros, anija do të vijojë të qëndrojë në radë nën monitorimin e efektivëve të policisë së shtetit.

Sipas urdhrit të prokurorisë, subjektet e ngarkuara duhet të nënshkruajnë procesverbalin e sekuestrimit dhe mbetjet duhet të depozitohen në një vend të sigurt për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike, nën mbikëqyrjen e kamerave 24 orë, raporton A2.

Ndërkohë, kontejnerët që u kthyen pas duke u referuar për t’u shkarkuar nga autoritetet tajlandeze, duhet të mbahen në gjendjen aktuale pa u hapur deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme.

Gjithashtu, Prokuroria e Durrësit bën me dije se i është drejtuar disa institucioneve publike shqiptare, si Fakulteti  i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontejnerët objekt sekuestrimi, përcjell A2. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos