Arrestohet për “shpërdorim detyre” drejtori i IKMT Sarandë, policia: Favorizoi disa shtetas dhe i lejoi të ndërtonin pa leje

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2023, 11:02 | Kronikë
Arrestohet për “shpërdorim detyre” drejtori i IKMT
Foto ilustruese

Policia ka vendosur në pranga drejtorin e IKMT-së Sarandë, Nasip Hoxha nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Mësohet se kreu i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit favorizoi dhe lejoi shtetas të ndryshëm që të kryenin ndërtime pa leje, në territorin e bashkisë Sarandë.

57-vjeçari mbante detyrën prej rreth 5 muajsh dhe është drejtori i tretë radhazi i INUV në Bashkinë Sarandë që ndalohet në harkun kohor të 19 muajve.

Njoftimi i policisë:

Sarandë/Vijon operacioni policor i koduar “Mjegulla”. Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, bashkia Sarandë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të operacionit policor të koduar “Mjegulla”, në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Sarandës për shtetasin:

N.H., 57 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, bashkia Sarandë. Ky shtetas akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm, për të kryer ndërtime pa leje, në territorin e bashkisë Sarandë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani