SPAK do të kundërshtojë në Gjykatën e Lartë lirimin e Jamarbër Malltezit nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Burime pranë SPAK bënë me dije se Prokuroria e Posaçme do t'i bëjë rekurs vendimit.
Kujtojmë se një ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lehtësoi masën e sigurisë për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie.”
Ndërsa, për vetë Sali Berishën u la në fuqi e njëjta masë sigurie, detyrim paraqitjeje dhe ndalim i daljes nga vendi.
Në sallën e gjyqit, siç u bë e ditur nga publikimi i fjalës së tij të plotë pas lirimit nga qelia e paraburgimit, 1 muaj pasi u vendos në pranga, Malltezi ishte shprehur se vetja i dukej si në gjyqet politike të 1945 ku pronarët ishin armiqtë e pushtetit popullor.
Dhëndri i Berishës akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, në bashkëpunim me biznesmenin Fatmir Bektashi në dosjen “Partizani”. Ndërsa, ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv. (A2 Televizion)