Shqipëria i kërkon zyrtarisht Turqisë ekstradimin e Dritan Rexhepit

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2023, 11:21 | Kronikë

Shqipëria i kërkon zyrtarisht Turqisë ekstradimin e Dritan

Shqipëria zyrtarisht i ka kërkuar Turqisë, këtë të mërkurë, ekstradimin e Dritan Rexhepit. Ministria e Drejtësisë njofton se ka vendosur në dispozicion të autoriteteve në Ankara, dosjen e drejtësisë shqiptare për Rexhepin, ku përfshihet edhe kërkesa për ekstradim.

Ministria e Drejtësisë ju bën me dije se ditën e sotme, më datë 22.11.2023, ka përcjellë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t'u dërguar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit, Dritan Rexhepi! Dosja e tij, me kërkesën për ekstradimin e shtetasit Dritan Rexhepi, është nisur në bazë të kërkesave të paraqitura nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë datë, 16.11.2023 dhe 17.11 2023”, njofton MD.

Kujtojmë se Rexhepi, u arrestua 12 ditë më parë në një kompleks rezidencial në Stamboll, pasi akuzohet si kreu i një karteli ndërkombëtar droge. Rexhepi, emri i vërtetë i të cilit është Gramoz, është ndaluar falë një operacioni të zhvilluar nga autoritetet italiane dhe shqiptare.

Rexhepi është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e dy personave me armë zjarri, më 6 janar të vitit 1999.

Por edhe pse kishte një dënim në ngarkim të tij, ai ishte në listën e më të kërkuarve nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane. Deri në vitin 2022, ai ndodhej pas hekurave në Ekuador, ku u kap në vitin 2014 me 240 kilogramë kokainë dhe dyshohet se drejtonte nga qelia operacionet e trafikut të kokainës.

Rexhepi gjithashtu akuzohet si organizator dhe porositës i pengmarrjes së Jang Prengës (i cili më pas ndërroi jetë), pasi vëllai i tij, i cili ishte i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, nuk kishte dorëzuar një sasi prej 260 kilogramësh kokainë në Britaninë e Madhe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos