Është arrestuar në Stamboll Dritan Rexhepi, i akuzuar si kreu i një karteli ndërkombëtar droge. Lajmin e kanë dhënë autoritetet turke, të cilat publikuan edhe pamje nga arrestimi i shqiptarit të shumëkërkuar.
Sipas tyre, Rexhepi, emri i vërtetë i të cilit është Gramoz, është arrestuar pas një operacioni të zhvilluar në qytetin turk nga autoritetet italiane dhe shqiptare.
Rexhepi akuzohet për trafikimin e sasive të mëdha të drogës nga Amerika e Jugut drejt Europës. Nda tij, rëndojnë edhe akuzat e vrasjes me dashje dhe rrëmbimit të personit, falsifikim i dokumenteve dhe armëmbajtje pa leje.
Vendndodhja e drejtuesit të kartelit u përcaktua si rezultat i punës së përbashkët të kryer nga policia turke, Dega Kundër Krimeve Narkotike në Stamboll, Dega e Inteligjencës, Dega Kundër Kontrabandës dhe Kalimit Kufitar të Emigrantëve dhe shkëmbimit të informacionit me Policinë Italiane.
Dritan Rexhepi, i arrestuar në Stamboll për llogari të drejtësisë shqiptare dhe asaj italiane, ka një sërë dënimesh dhe akuzash të ngritura në drejtim të tij.
Ai është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e dy personave me armë zjarri më 6 janar të vitit 1999. Por edhe pse kishte një dënim në ngarkim të tij, ai ishte në listën e më të kërkuarve nga drejtësia shqiptare.
Rexhepi gjithashtu akuzohet si organizator dhe porositës i pengmarrjes së Jang Prengës (i cili më pas ndërroi jetë), pasi vëllai i tij, i cili ishte i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, nuk kishte dorëzuar një sasi prej 260 kilogramësh kokainë.
Në vitin 2020, Interpoli botoi disa fotografi të Rexhepit, nga brenda burgut në Ekuador, ku vuante një dënim për trafikim të lëndëve narkotike. Rexhepi dyshohet se është drejtuesi i rrjetit të trafikut të kokainës drejt Europës, rrjet i shkatërruar në vitin 2020 nga një operacion i Europol, ku u përfshi ndër të tjera edhe Policia e Shtetit. Ai është arrestuar në vitin 2014 me 240 kg kokainë në Ekuador, por dyshohet se drejtonte nga qelia operacionet e trafikut të kokainës. (A2 Televizion)