Beleri letër publike ambasadorit të BE e SHBA: Jam viktimë e falsifikimeve të policisë

Nga A2 CNN
4 Mars 2024, 16:37 | Kronikë

Beleri letër publike ambasadorit të BE e SHBA: Jam viktimë e

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, Alfred Beleri i ëhstë drejtuar me një letër publike, ambasadorëve të Bashkimit Europian dhe të Shtetve të Bashkuara të Amerikës. Në letrën e tij Beleri shprehet se ka provat që tregojnë se ai ka qenë “viktimë e veprimeve arbitrare të paligjshme të policisë, të ndikuara nga shprehjet e hapura ofenduese dhe fyese të Kryeministrit ndaj meje”.

Ai ngre akuza ndaj Prokurorisë dhe Policisë së Vlorës për falsifikim dokumentesh dhe thotë se dosja  e tij është sajuar nga policë e zyrtarë me urdhër të kryeministrit.

Duke e konsideruar arrestin e tij politik, Beleri kërkon t’ju tërheqë vëmendjen BE-së dhe SHBA-së, të cilat u investuan për institucionet e reja të drejtësisë se “nuk mund të jetë kjo drejtësia e një vendi që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian”.

Ai thekson se drejtësia e re “po shtrembërohet për interesat politike të një njeriu, që për të mbajtur pushtetin sakrifikon parimet e shenjta të Demokracisë, Zgjedhjet e Lira”.

LETËR PUBLIKE

I nderuar z. Silvio Gonzato Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri!

I Nderuar z.David Ëisner, I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë!

Unë që po Ju drejtohem jam Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, z.Dhionisios Alfred Beleri por që ende nuk lejohem të marr detyrën për të cilën u zgjodha në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023. Që prej datës 12 maj jam në paraburgim. Ditët e fundit, pas shumë pengesave nga përfaqësues të drejtësisë së re, SPAK, për të cilën Ju keni punuar dhe e keni mbështetur, më janë vënë në dispozicion provat që provojnë atë që unë kam deklaruar që ditën e arrestimit tim, që isha viktimë e veprimeve arbitrare të paligjshme të policisë, të ndikuara nga shprehjet e hapura ofenduese dhe fyese të Kryeministrit ndaj meje.

Të nderuar zotërinj Ambasadorë!

Marr guximin t’u drejtohem, si shtetas shqiptar dhe europian, pasi gëzoj edhe shtetësinë greke, se nuk besoj se është kjo drejtësia që ju donit për Shqipërinë, nuk mund të jetë kjo drejtësia për të cilën Ju keni investuar!

Jam në burg sepse, policia më përgjoi mua dhe të gjithë anëtaret e stafit tim elektoral për 5 ditë 24 orë në ditë dhe kur nuk zbuloi asnjë veprim të kundërligjshëm, sajoi një dëshmitar të rremë, të deklaronte se i kisha propozuar të blinte vota në emër tim. Jam në burg, sepse policia dhe prokuroria Vlorë, falsifikuan dokumente që të vendosnin dëshmitarin e rremë në dy vende në të njëjtën kohë, të paktën tre herë, që të justifikonin arrestimin tim.

U deklarua në mediat qeveritare se ka përgjime kundër meje, por gjyqi mbaroi dhe përgjime nuk u dëgjuan. Pasi me arrestuan, janë përpjekur të rregullojnë dokumentet dhe futen në dosje dokumente te falsifikuara për përgjime të paligjshme. Vazhdimisht kam kërkuar nga SPAK te kryeje hetime se dosja është sajuar nga disa policë e zyrtare drejtësie në Vlorë që me zellin e tyre për t’i shërbyer Kryeministrit kanë shkelur Kushtetutën, kanë cenuar parimet thelbësore të demokracisë, zgjedhjet e lira.

Jam në burg se isha përfaqësues i opozitës, i kundërshtuar haptazi nga Kryeministri. Nuk besoj se në vendet që Ju përfaqësoni përgjohet e ndiqet opozita nga policia vetëm pse nuk i pëlqen Kryeministrit. Nuk besoj qe Ju keni investuar për një drejtësi që i shërben pushtetit politik, dhe për këtë qëllim fsheh falsifikimet e zyrtareve te drejtësisë. Ju drejtohem me respekt se jam i sigurt që dosja dhe çështja ime tregon se nuk është kjo drejtësia që Ju doni për ne, dhe meritojmë te kemi. Nuk mund të jetë kjo drejtësia e një vendi që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Ju drejtohem me këtë Letër Publike, me shpresën që sado pak, t’Ju tërheq vëmendjen tek kjo drejtësi që është krijesa Juaj, dhe po shtrembërohet për interesat politike të një njeriu, që për të mbajtur pushtetin sakrifikon parimet e shenjta të Demokracisë, Zgjedhjet e Lira.

Me respekt

Kryetari I Zgjedhur I Bashkisë Himarë

Dhionisios Alfred Beleri

A2 CNN Livestream

Dita jonë