Beleri pas hekurave për shitblerje votash, GJKKO nis pyetjen e dëshmitarëve

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2023, 12:25 | Kronikë

Beleri pas hekurave për shitblerje votash, GJKKO nis pyetjen e

Gjykata e Posaçme nisi pyetjen e dëshmitarëve të SPAK në procesin ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Alfred Beleri.

Dëshmitari i parë në radhë, është Arsen Rama, personi që pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, për veprimet e simuluara, duke dokumentuar bisedat për shitblerje votash para zgjedhjeve të 14 majit.

Me kërkesë të prokurores së çështjes, pyetja e Arsen Ramës, do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Sipas prokurores së SPAK, Dorina Bekjo, dëshmitari Rama dhe familjarë të tij janë kanosur pas arrestimit të Belerit.

Në lidhje me dëmtimin e mjetit të bashkëjetueses së Ramës është bërë një kallëzim në prokurorinë e Vlorës.

Sipas prokurores, dëshmia e Ramës përmban të dhëna sensitive dhe publiciteti do ta cenonte. Ndërsa avokatët kërkuan një dëshmi publike.

"Për 6 muaj, identiteti i dëshmitarit Rama ka qenë publik. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai ka qenë i lirë dhe nuk i ka ndodhur asgjë e keqe. Kjo është përpjekje e prokurorisë për ta mbajtur këtë proces të fshehtë, ashtu si kanë bërë që në fillim", tha avokati Edmond Dëma.

Kujtojmë se Beleri ndodhet pas hekurave që prej 12 majit. Ai u arrestua dy ditë para zhvillimit të zgjedhjeve lokale nga të cilat doli fitues me diferencë të vogël votash, në përballjen me socialistin Jorgo Goro.

Pavarësisht kësaj, Beleri, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ende nuk ka mundur të betohet si kryebashkiak, pasi drejtësia në disa shkallë ka refuzuar kërkesën e tij për të dalë nga burgu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos