
Analisti i njohur Ilir Demalia është dhunuar mesditën e kësaj të marte në Tiranë, teksa po dilte nga banesa e tij.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 12:00, në rrugën “Çamëria”, gazetari është goditur me grusht nga një person, i cili dyshohet se ka vepruar për motive të dobëta. Demalia është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Policia bën me dije se, ka identifikuar autorin e dyshuar, i cili është shpallur në kërkim. Ndërkohë, është sekuestruar edhe automjeti që dyshohet se është përdorur prej tij.
Tiranë/Informacion paraprak
Sot, më datë 01.07.2026, rreth orës 12:00, në rrugën “Çamëria”, dyshohet se, për motive të dobëta, është goditur me grusht gazetari, shtetasi I. D., i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit R. S., i cili është shpallur në kërkim. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në vijim të veprimeve procedurale, është bërë bllokimi dhe sekuestrimi i automjetit të përdorur nga autori i dyshuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.
(A2 Televizion)