Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në qytetin e Shkodrës, rreth orës 15:45, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi Ormir Guçia, 47 vjeç, ka dëmtuar në kokë, me sende të forta, shtetasin A. O., 49 vjeç, banues në Shkodër (punonjës policie, jashtë shërbimit), i cili po merr mjekim në spitalin rajonal të Shkodrës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë konfliktit dyshohet se arma e shërbimit e punonjësit të Policisë është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme, por pa shkaktuar dëmtime.
Pas pak orësh në arrati, autori është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Shkodër.
“Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, sipas të cilit shtetasi O. G., 47 vjeç, ka dëmtuar në kokë, me sende të forta, shtetasin A. O., 49 vjeç, (punonjës policie), ju informojmë se pas kontrollit dhe presionit të Policisë, 47-vjeçari është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Shkodër”, njofton Policia.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje, po kryen veprime edhe AMP, për të zbardhur rrethanat e përdorimit ose jo të armës së zjarrit, si dhe për të përcaktuar nëse shkrepja e armës ka qenë e pavullnetshme. (A2 Televizion)