I dashuri i polices 21-vjeçare, që vrau veten një ditë më parë, është arrestuar nga policia. Kjo sepse në bazë të hetimeve, ka rezultuar se ai ka shkuar në banesën e polices dhe pasi e ka gjetur të vdekur, ka fshirë menjëherë mesazhet që kishte me të.
Për këtë arsye, E. N., 28 vjeç, banues në Kamëz është vënë në pranga pasi akuzohet për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në rrugën "Todi Shkurti", është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetasja A. L., 21 vjeçe, punonjëse policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, arrestuan shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".
Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka shkuar në banesën e shtetases A. L., dhe pasi ka njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur, ka fshirë mesazhet me shtetasen A. L., në telefonin e saj”, njofton policia.
E reja shërbente në Komisariatin e Policisë nr.5. Ajo u gjetur pa shenja jete një ditë më parë nga familjarët e saj në banesën në rrugën 'Ali Demi'. (A2 Televizion)