Një grua nga Gjirokastra dhe një burrë nga Memaliaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë peng dhe kanë kanosur për t’i marrë para një 53-vjeçar.
Njoftimin për ngjarjen e ka bërë policia e qytetit jugor, duke sqaruar se Edi Tafili dhe Lavdije Çaushi, e kanë mbajtur 53-vjeçarin në një banesë të marrë me qira, raporton A2.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pas njoftimit se 2 shtetas i kishin hequr lirinë, një 53-vjeçari, duke e mbajtur kundër vullnetit të tij si dhe e kishin kanosur me qëllim dhënien e një shume parash, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen dhe vënien e autorëve të dyshuar përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat i veprimeve të shpejta të specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, janë identifikuar, kapur dhe arrestuar autorët e dyshuar, shtetasit: - L. Ç., 45 vjeçe, banuese në Gjirokastër dhe E. T., 38 vjeç, banues në Krahës, Memaliaj. Ata kanë mbajtur në banesën e marrë me qira nga 45-vjeçarja, shtetasin P. S., 53 vjeç, duke i hequr lirinë atij, si dhe e kanë kanosur për dhënie pasurie.”
Dy autorët e dyshuar akuzohen për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë", "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie", kryer në bashkëpunim, shkruan A2.
Nga veprimet hetimore rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. (A2 Televizion)