“ÇEZ-DIA” në SPAK, Meta: Diktohet politikisht Rama për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2023, 11:41 | Kronikë
 

“Nuk kam marrë asnjë vendim në interes të askujt”. Kështu ka deklaruar Ilir Meta pas marrjes në pyetje nga SPAK për çështjen CEZ-DIA ku qëndroi për rreth dy orë. Në një deklaratë për mediat, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se është investuar politikisht për këtë çështje për të hequr vëmendjen nga skandalet e qeverisë. I pyetur nga gazetarët për njohjen me Kastriot Ismailajn, Meta u përgjigj se për të ka dhënë shpjegime në të kaluarën.

“Për këtë çështje kam dhënë shpjegime edhe në të kaluarën. Asnjë akt, asnjë vendim nga ana e Ilir Metës në interes të askujt. Kjo është shumë e qartë. Diktohet politikisht nga Edi Rama për të shmangur vëmendjen nga skandalet që i dinë të gjithë për të spostuar te thashethemet e 14-15 viteve më parë.

Sipas tij, nuk ekziston asnjë akt apo vendim nga Ilir Meta në lidhje me këtë çështje, ndërsa theksoi se kallëzimi është i rremë.

“Përgjigjja ime është ajo që kam thënë më përpara që do them përsëri dhe do ta them në çdo rast; nuk ekziston asnjë akt, shkresë, dokument, urdhër, iniciativë për ligje e akte nënligjore nga Ilir Meta në detyrat si zv.kryeministër dhe ministër i Ekonomisë në interes të askujt përfshirë këtu DIA e CEZ dhe Ministria e Ekonomisë si pronare 100% e aksioneve të KESH e ka denoncuar vendimin e Ere-s që favorizonte CEZ në dhjetor 2012 për blerjen e çmimit të energjisë në dëm të KESH dhe konsumatorëve shqiptarë. Nuk kam interes për dëshmitë, SPAK ka detyrë të hetojë. Jetojmë në kohë kur dëshmitë e rreme dhe kallëzuesit e rremë janë bërë në modë, se kemi një qeveri që kërkon të shmangë vëmendjen nga skandalet e saj, si ai inceneratorëve dhe të gjitha skandalet e tjera. Unë jam këtu dhe do të jem transparent dhe të mos shfokusohemi nga beteja për çkapjen e shtetit për denoncuar kapjen e shtetit. Jam këtu në respekt të ligjit, asnjë akt asnjë vendim nga Ilir Meta në interes të askujt”.

I pyetur nëse parashikohet rëndimi i situatës së tij në SPAK, Meta u përgjigj: “Nuk më habit asnjë keqpërdorim i institucioneve të drejtësisë. Unë jam këtu përballë jush për të gjitha aktet e mia

Nuk jam këtu për të dhënë përgjigje për çdo lloj mashtruesi që përdoret apo vetofrohet për interesat e tij. Pjesa më e madhe e tyre kanë dhënë dëshmi dhe asgjëkundi nuk është përmendur emri im. Ky është investim që është bërë më pas për arsye politike nga Rama. Absolutisht i gatshëm për t’u përballur me drejtësinë, ju dhe çdo të vërtetë”.

A2 CNN Livestream

A2 Sport