Hyri i maskuar në një karburant dhe grabiti xhiron ditore, arrestohet 31-vjeçari në Elbasan

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2023, 20:00 | Kronikë
Hyri i maskuar në një karburant dhe grabiti xhiron ditore, arrestohet
Foto ilustruese

Policia e Shtetit njofton se ka arrestuar një 31-vjeçar në Elbasan, i cili paraditen e sotme ka grabitur një karburant në Lushnjë, ku ka marrë një pjesë të xhiros ditore.

I riu, i maskuar dhe me armë gjahu me vete, ka grabitur paratë dhe është larguar, por arratia e tij nuk ka zgjatur shumë.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Lushnjë, finalizohet operacioni policor i koduar “How it ends”, për zbardhjen e një vjedhjeje të kryer në kërcënimin e armës. Policia identifikon, kap dhe vë në pranga 31-vjeçarin që hyri i maskuar në një karburant dhe mori një shumë parash, në kërcënimin e armës.

Sekuestrohen arma e gjahut e përdorur nga autori, automjeti me të cilin ai u largua pas ngjarjes, dhe veshjet që kishte gjatë vjedhjes. Sekuestrohen edhe një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë dhe një peshore elektronike, që u gjetën në banesën e 31-vjeçarit, me precedent të mëparshëm në fushën e narkotikëve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje me armë, në një karburant, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “How it ends”, me qëllim zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta proceduralo-hetimore, me mbështetjen e inteligjencës policore, është zbardhur ky rast vjedhjeje dhe është identifikuar autori i dyshuar, shtetasi F. B., 31 vjeç, banues në Lushnjë.

Në kuadër të operacionit   pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Elbasanit, u bë e mundur kapja në Elbasan e 31-vjeçarit.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi F. B., në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka hyrë i maskuar në një karburant dhe duke kanosur me armë gjahu, ka marrë një shumë parash (një pjesë të xhiros ditore).

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e gjahut që ka përdorur autori për të kryer vjedhjen, automjeti që kishte marrë me qira, veshjet që ka mbajtur gjatë vjedhjes, një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë dhe një peshore elektronike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos