Fatmir Mediu kërkon pafajësi për Gërdecin dhe gjykim të drejtë

Nga Armand Bajrami
30 Nëntor 2023, 23:16 | Kronikë

Ndryshe nga seancat e mëparshme të gjyqit ndaj tij për çështjen “Gërdeci”, ku është përfaqësuar me avokat, këtë të enjte ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, zgjodhi të ishte vetë i pranishëm në Gjykatën e Posaçme.

Prezenca e tij nuk ishte rastësore: “Sepse sot kishte të bënte me dëshmitarë që kanë punuar me mua. Me dëshmitarë që kanë përgatitur urdhra, shkresa, që kanë ndjekur zbatimin e urdhrave të ministrit të Mbrojtjes. Erdha sot në respekt të gjykatës, në respekt të drejtësisë. Edhe duke shprehur edhe një herë ndjesën time të madhe për atë që i ka ndodhur familjarëve në vitin 2008. E kam bërë edhe kur isha ministër, duke dhënë dorëheqje dhe unë nuk e zhbëj dot më atë që ka ndodhur. Këtë e thashë edhe sot dhe iu kërkoj ndjesë të thellë”. 

Përveç ndjesës, ish-ministri i akuzuar për “shpërdorim të detyrës” tha se ishte i pafajshëm dhe kërkoi një proces gjyqësor të ligjshëm dhe barazi mes palëve: “Mendoj që është shkelur një nga pikat më të rëndësishme të garancisë së procesit ligjor, që ka të bëjë me parashkrimin. Për 10 vjet nuk kam pasur asnjë akuzë. Kam qenë pa asnjë ngarkesë penale dhe më shumë. Për më tepër, kam qenë këtu, nuk i jam fshehur as proceseve”. 

Sipas ish-ministrit, demontimi i municioneve ushtarake ishte një kërkesë e NATO-s dhe Bashkimit Europian dhe se propozimi për Gërdecin nuk ishte i tij: “Ministri nuk ka kërkuar dhe ndikuar tek askush. Më gjeni një të vetëm që unë i kam thënë që duhet të bëni këtë urdhër, apo duhet të keni këtë mendim në urdhrin tuaj, apo në memon tuaj. Çdo rast, çdo shkresë që më ka ardhur unë ia kam përcjellë për mendim strukturave më të larta ushtarake e civile. Nuk kam ndikuar e nuk kam vepruar asnjëherë në kundërshtim me shkresat që më kanë ardhur nga autoritetet më të larta ushtarake e civile. Ministri i Mbrojtjes nuk është ushtarak, ministri i Mbrojtjes nuk njeh as kalibra, as distanca sigurie”. 

Ai mohoi çdo interes personal në këtë çështje: “Unë nuk kam pasur ndonjë interes. Mua më kanë hetuar në Europë, në Amerikë, për shërbime dhe probleme shëndetësore të familjes sime dhe nuk kanë gjetur ndonjë marrëdhënie korruptive. Nuk është gjetur qoftë edhe një kontakt i vetëm i Fatmir Mediut me ata që bënin demontimin në Gërdec. As të familjes sime”. 

Në seancën e së enjtes u dëgjuan 5 dëshmitarë. Mes tyre, Anila Gjergji, ish-punonjësja që ka pritur në Ministrinë e Mbrojtjes një faks të nisur nga Ministria e Drejtësisë, mbi të cilin ishte shënuar me stilolaps “Për Shkëlzen Berishën”. Dëshmitarja tha se nuk ishte shkrim i saj dhe nuk saktësoi nëse shënimi ishte bërë aty, apo kishte ardhur bashkë me shkresën. Ndërsa koloneli Viktor Përshqeta tha se ishte venë në dijeni të urdhrit të demontimit dhe se në diskutimin me eprorin e tij për një prej pikave kishte dëgjuar se “urdhrin e kërkonte shefi”, cilësim me të cilin, sipas tij, në zyrë i referoheshin ministrit të Mbrojtjes.           

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos